Botë
Kuvendi i Kosovës, pritet konstituimi i legjislaturës së re
17.04.2025 11:24
Vazhdimi i seancës për konstituimin e përbërjes së legjislaturës së re, e cila ka dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit...
Vazhdimi i seancës për konstituimin e përbërjes së legjislaturës së re, e cila ka dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ka filluar sot në orën 12:00. Kuvendi i Kosovës dështoi të martën ta konstituojë përbërjen e legjislaturës së re, e cila ka dalë nga zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 9 shkurt.
Deputetët e zgjedhur nuk arritën të kalonin pikën e parë të rendit të ditës, miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit. Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës votuan kundër raportit, duke thënë se anëtarët e Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë, është dashur që të jepnin dorëheqje zyrtarisht më herët, në mënyrë që të mund të betoheshin si deputetë të përbërjes së re parlamentare. Miratimi i këtij raporti do t'i hapte rrugë kalimit në pikën e radhës, atë të betimit të deputetëve, më pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit - hapa të nevojshëm për konstituimin e legjislaturës së re parlamentare. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit, do të mund të bëheshin hapa drejt formimit të Qeverisë së re të Kosovës.
Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit me rreth 42 për qind të votave apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës. Por, asaj i nevojitën të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re. Nga të gjitha partitë opozitare, “vija të kuqe” për koalicion të mundshëm me LVV-në nuk ka vendosur vetëm kreu i Nismës, Fatmir Limaj.
