Maqedoni
Tragjedia në Koçan, BDI akuzon për drejtësi selektive
17.04.2025 11:49
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) me shqetësim të thellë po i ndjek zhvillimet lidhur me ngjarjen tragjike në Koçan...

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) me shqetësim të thellë po i ndjek zhvillimet lidhur me ngjarjen tragjike në Koçan dhe mënyrën si institucionet e drejtësisë po e trajtojnë këtë proces nën presion të qartë politik dhe me qëllim që faji të hidhet mbi të tjerët, për të mbrojtur njerëzit e pushtetit, thuhet në komunikatën e BDI-së.
“Dje u soll një vendim që pothuajse të gjithë të ndaluarit të lirohen nga paraburgimi aktiv, përveç Kreshnik Bekteshit, i cili vazhdon të mbahet në paraburgim – një person që prej kohësh është në shënjestër të hakmarrjes politike. Kjo tashmë nuk është çështje individuale, por një model i rrezikshëm i drejtësisë selektive, që po shndërrohet në instrument për presion dhe eliminim politik. BDI kërkon publikisht dhe menjëherë që Prokuroria t’u përgjigjet qytetarëve: A është e vërtetë se një prokuror është tërhequr për shkak të hetimit të udhëhequr politikisht?
A do ta lejojë Prokuroria që të shndërrohet në instrument të hakmarrjes politike ndaj opozitës? Cilat janë kriteret sipas të cilave disa lirohen, e disa mbeten në paraburgim pa prova të mjaftueshme dhe me hetim të paqartë? Kjo nuk është drejtësi – kjo është politikë e kamufluar si gjyqësor. Nuk duhet të lejojmë që tragjedia e Koçanit të përdoret për propagandë politike dhe për të fshehur përgjegjësinë e strukturave në pushtet.”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
