Botë
JD Vance udhëton drejt Italisë dhe Indisë, takime me kryeministrat Meloni dhe Modi
17.04.2025 13:13
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance është gati të fillojë një udhëtim në Itali dhe Indi të premten...

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance është gati të fillojë një udhëtim në Itali dhe Indi të premten – duke shënuar udhëtimin e tij të tretë ndërkombëtar me administratën Trump.
Në Romë, është planifikuar që Vance të takohet me Kryeministren e Italisë Giorgia Meloni dhe Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin; ndërkohë, Meloni është planifikuar gjithashtu të vizitojë Shtëpinë e Bardhë javën e ardhëshme në Uashington.
Në Indi ai do të takohet me Kryeministrin e Indisë Narendra Modi gjatë vizitës në New Delhi, Jaipur dhe Agra. Është planifikuar që Zëvendëspresidenti të zhvillojë vizita edhe në disa vende të tjera. Zyra e tij nuk dha detaje specifike në lidhje me këto vende, sipas Fox.
Kjo vjen ndërsa Shtëpia e Bardhë ka thënë se më shumë se 75 vende kanë kontaktuar duke kërkuar të negociojnë marrëveshje tregtare me SHBA-në, pasi administrata Trump shpalli tarifat historike më 2 prill.
Si Bashkimi Evropian ashtu edhe India kanë sinjalizuar interes për të ndërmjetësuar një marrëveshje me SHBA-në për tregtinë. Meloni ka thënë se Italia nuk është dakord me tarifat e vendosura ndaj BE-së dhe është e përgatitur të “përdorë të gjitha mjetet” për të mbrojtur bizneset italiane.
Plani origjinal tarifor vendosi 20% taksa për mallrat nga Bashkimi Evropian, si dhe të paktën 26% taksa për mallrat indiane. Megjithatë, Trump njoftoi më 9 prill një pauzë 90-ditore të këtyre tarifave, ku detyrimet do të reduktoheshin në 10%, ndërsa vendet punojnë për të arritur marrëveshje tregtare me SHBA-në.
Udhëtimet e mëparshme ndërkombëtare të Vance përfshijnë pjesëmarrjen në Konferencën e Sigurisë së Mynihut në shkurt, ku ai mbajti fjalime duke e nxitur Evropën të “përparojë në një mënyrë të madhe për të siguruar mbrojtjen e saj”. Ai gjithashtu paralajmëroi se Rusia dhe Kina nuk përbëjnë një kërcënim aq të madh për kombet evropiane sa “kërcënimi nga brenda”, në lidhje me çështje si censura dhe imigracioni i paligjshëm.
Në mars, Vance vizitoi Bazën Hapësinore Pituffik në Groenlandë, instalimin ushtarak më verior të Departamentit të Mbrojtjes që strehon Grupin e 821-të të Bazës Hapësinore të Forcës Hapësinore për të kryer operacione paralajmërimi për raketa, mbrojtje nga raketat dhe mbikëqyrje hapësinore.
