Jahjaga-Mustafa: Incidentet në Maqedoni, destabilizojnë edhe Kosovën

11.05.2015 16:40

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa shprehin shqetësimin e tyre të thellë dhe dënojnë çfarëdo përfshirje të shtetasve të Kosovës në incidentet në Maqedoni që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe shteteve fqinje, duke vënë në sprovë paqen dhe sigurinë dhe duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve...

“Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Mustafa bëjnë thirrje për hetim transparent dhe kredibil të ngjarjeve të fundit duke shprehur gatishmërinë e institucioneve të Kosovës të vazhdojnë të ofrojnë ndihmën e tyre të plotë për të zbardhur këto zhvillime të fundjavës në qytetin e Kumanovës”, thuhet në komunikatën lëshuar nga zyra e presidentes.

Mekanizmat e drejtësisë dhe sigurisë të Kosovës kanë kërkuar nga homologët e tyre maqedonas detaje lidhur me incidentet e fundjavës dhe janë në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga ta.

“Kosova mbetet e përkushtuar për një Maqedoni shumetnike, stabile, të përkushtuar për të drejta të barabarta të të gjitha komuniteteve dhe zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, e orientuar fuqishëm në rrugën evropiane dhe euroatlantike. Institucionet e Kosovës shprehin keqardhjen e tyre familjeve të viktimave dhe të lënduarve dhe bëjnë thirrje për respektim të plotë të ligjit dhe përmbajtje nga dhuna”, thuhet në deklaratën e përbashkët

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, thotë se Kosova është e sigurtë dhe situata është nën kontroll.

Policia e Kosovës, ka dërguar njësitë e saja ROSU në kufi me Maqedoninë. ROSU është ndarë në dy grupe, njera në Hanin e Elezit e tjetra në pikën kufitare që lidhë Kosovën me Serbinë e Maqedoninë, në komunën e Gjilanit.