Maqedoni

Tragjedia në Koçan, BDI: Një prokuror është tërhequr nga hetimi

17.04.2025 14:01

Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon me akuzat se në rastin me zbardhjen e tragjedisë në Koçan...

Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon me akuzat se në rastin me zbardhjen e tragjedisë në Koçan po veprohet në mënyrë selektive dhe me presion politik, me qëllim që faji të hidhet mbi të tjerët, për të mbrojtur njerëzit e pushtetit. Nga BDI bëjnë me dije se posedojnë informacione se si pasojë e këtyre presioneve politike që prokuror i angazhuar për zbardhjen e rastit është tërhequr nga hetimi.
 
"Informacionet se një prokuror publik, që ka qenë pjesë e lëndës, është tërhequr për shkak të mospajtimeve rreth kualifikimit të veprës dhe veçanërisht për shkak të presioneve politike nga partitë në Qeveri, në një shtet normal do të ishin alarm për të gjithë shoqërinë. Në realitetin tonë, heshtja e institucioneve flet më zëshëm se çdo vendim. Dje u soll një vendim që pothuajse të gjithë të ndaluarit të lirohen nga paraburgimi aktiv, përveç Kreshnik Bekteshit, i cili vazhdon të mbahet në paraburgim – një person që prej kohësh është në shënjestër të hakmarrjes politike.".
 
Prokuroria Publike: Asnjë prokuror nuk është tërhequr nga rasti
 
Ndërkohë, nga Prokuroria Publike demantojnë se ndonjëri nga prokurorët publikë të angazhuar në hetimin për zbardhjen e tragjedisë në Koçan është tërhequr nga hetimi për shkak të presioneve ose mospajtimeve. Sipas tyre, të gjithë prokurorët e përfshirë në këtë rast, si nga Prokuroria Themelore Publike, ashtu dhe nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vazhdojnë të punojnë në hetim.
 
"Asnjë prokuror publik nuk është tërhequr nga hetimi për zjarrin në Koçan, për shkak të pretendimeve për presione dhe mospajtime me kualifikimin ligjor. Ekipi i prokurorëve vepron në mënyrë plotësisht të sinkronizuar dhe në mënyrë të vazhdueshme ndërmerr veprime.", njoftojnë nga Prokuroria Publike.
 
Aktualisht Gjykata në Koçan po i shqyrton ankesat e 12 të dyshuarve. Tre ish-kryetarët e komunës së Koçanit aktualisht ndodhen në paraburgim shtëpiak. Në paraburgim shtëpiak janë edhe 2 ish-ministrat e Ekonomisë, Valon Saraçini dhe Bekim Neziri, për ish-ministrin, Driton Kuçi, është caktuar masë kujdesi, ndërsa paraburgimi 30-ditor është vazhduar për ish-ministrin, Kreshnik Bekteshi. Në hetim marrin pjesë 11 prokurorë, ndërsa deri më tani të dyshuar janë 59 persona fizikë dhe 3 persona juridikë. Prej tyre 14 persona janë zyrtarë policorë. 
 
FLORIJE KAMBERI