Kina, tarifat amerikane prej 245%, pa logjikë ekonomike

17.04.2025 15:12

Pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi se Kina rrezikon tarifa deri në 245%...

Pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi se Kina rrezikon tarifa deri në 245% për eksportet në ShBA, nga norma aktuale e përgjithshme prej 145%, si rezultat i veprimeve hakmarrëse ka reaguar Ministria e Jashtme Kineze, duke i konsideruar “pa logjikë ekonomike” vendimet e fundit të Trampit dhe fajëson ShBA-në për nxitjen e luftës ekonomike.

“Lufta tarifore u iniciua nga ShBA-ja. Kina ka marrë kundërmasat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj legjitime dhe drejtësinë ndërkombëtare, e cila është plotësisht e arsyeshme dhe e ligjshme. Rritja e tepruar e tarifave të ShBA-së kundër Kinës është kthyer në një lojë numrash, e cila ekonomikisht nuk bën më shumë ndryshim, përveçse për të demonstruar më tej se si ShBA-ja i instrumentalizon tarifat për të detyruar dhe frikësuar të tjerët.”, - deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze, Lin Jian.

Japonia dhe Italia, Trampi të shqyrtojë vendimet për tarifat

Ndërkohë Japonia i ka kërkuar fuqishëm presidentit amerikan, Donald Tramp, dhe zyrtarëve të lartë të administratës që të rishikojnë masat tarifore të ShBA-së. Ministri japonez i rivitalizimit ekonomik, Akazava Ryosei, negociatori i tarifave të Japonisë, mbajti takim në Shtëpinë e Bardhë.

"Unë kërkova me forcë një rishikim të politikës tarifore. Ramë dakord të zhvillojmë bisedime të sinqerta dhe konstruktive, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje sa më shpejt të jetë e mundur, që do të shpallet nga liderët e të dy vendeve.”, - theksoi kryeministri japonez, Ishiba Shigeru.                                                                                

Takime në Uashington me presidentin e ShBA-së, Donald Tramp, zhvillon edhe kryeministrja e Italisë, Xhorxhia Meloni, pasi Trampi kërcënon një luftë tregtare edhe kundër BE-së.

Vizita konsiderohet  kyçe për të ndihmuar Italinë dhe Evropën të shmangin një përshkallëzim të tensioneve.

“Në përgjithësi, interesat italiane dhe evropiane përputhen, megjithëse Evropa është paksa më komplekse. Meloni po udhëton në Shtetet e Bashkuara si kryeministër i Italisë për takimin e parë zyrtar dypalësh me presidentin Donald Tramp në ShBA.", - u shpreh sekretari i përgjithshëm në Itali, Antonio Giordano.

Kryeministrja italiane, Meloni, është nën presion, në vend për të mbrojtur ekonominë e Italisë të orientuar nga eksportet, e cila vitin e kaluar pati një suficit tregtar prej 40 miliardë eurosh me ShBA-në, ajo shihet gjithashtu edhe si mbrojtëse e interesave të të gjithë bllokut të BE-së me 27 vende.

Meloni ishte e vetmja udhëheqëse e BE-së e ftuar në inaugurimin e Trampit në janar. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)