Rajon
Për herë të dytë dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës
17.04.2025 15:51
Për herë të dytë dështoi seanca konstituive e Kuvendit të Republikës së Kosovës...

Për herë të dytë dështoi seanca konstituive e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pasi nuk u miratua verifikimi i mandateve të deputetëve. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, tha se në takim me përfaqësuesit e partive nuk pati konsensus. Seancën e radhës e paralajmëroi për 19 prill në orën 12:00.
“Takimi shpërfaqi qëndrimet aktuale të tyre. Pati përfaqësues që i braktisën takimin. Nuk pati konsensus. Seanca do të vazhdojë brenda 48 orëve në orën 12:00, 19 prill. Me shpresë, që deri atëherë të ketë pajtueshmëri.”, - deklaroi kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK mbeten në qëndrimin se nuk mund të bëhet verifikimi i mandateve të deputetëve derisa kryeministri dhe ministrat e zgjedhur deputetë vazhdojnë të ushtrojnë postet në ekzekutiv dhe njëkohësisht dëshirojnë t’u verifikohet edhe mandati i deputetit. Po ashtu sipas tyre, Lëvizja Vetëvendosje po e zvarritë mbarëvajtjen e seancës konstituive, me qëllim të pazareve politike.
Por, nga Vetëvendosje këmbëngulin se i kanë votat e mjaftueshme për formimin e institucioneve, por është e domosdoshme që të zhvillohen konsultime për të gjetur një zgjidhje lidhur me bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
GYLTENE SINANI
