Zhvillimet brenda VLEN-it, Kasami: VLEN drejt unifikimit, Qeveria stabile

17.04.2025 16:09

Koalicioni VLEN drejt homogjenizimit...

Koalicioni VLEN drejt homogjenizimit, pavarësisht se kush do ta prijë këtë subjekt politik dhe si do të ndahen përgjegjësitë, ka pohuar kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami, pasi VLEN-i ditë më parë konstatoi vendimin se ASh-ja e Arben Taravarit është vetëpërjashtuar nga koalicioni.

Kasami tha se Taravari vetë ka bërë zgjedhjen duke i zgjatur dorën BDI-së për ta shpëtuar nga krimi.

Ai nuk përjashtoi mundësinë e rishqyrtimit të marrëveshjes së koalicionit qeverisës me Mickoskin, edhe pse konfirmoi se Qeveria vazhdon të jetë stabile dhe nuk rrezikohet nga zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“As që ka elemente për zgjedhje të parakohshme, sepse shumica parlamentare është më stabile se kurdoherë që ka qenë. Madje kemi informata se ka edhe subjekte politike edhe individë, për momentin që janë pjesë e opozitës, të cilët janë të gatshëm t’i bashkohen Qeverisë. E dini edhe deklaratën e zotit Taravari, se nuk është i gatshëm për t’u larguar nga Qeveria dhe nuk besoj se do të ketë krizë qeveritare. Përkundrazi ka individë dhe subjekte politike nga opozita, të cilët janë të gatshëm të jenë pjesë e shumicës parlamentare.”, - deklaroi kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.

Taravari ironizon vendimin e VLEN-it

Ndërkohë Taravari ka ironizuar vendimin e VLEN-it me apelin për ndryshim, duke thënë se ndryshimi fillon nga vetja dhe se ka disa që nuk ndryshojnë fare.

“Një nga thirrjet më qesharake është apeli për ndryshim nga dikush që vet përdor metoda të një mentaliteti politik të vjetër. Ndryshimi fillon nga vetja, por për dikë kërkon më shumë kohë e për dikë më pak, fatkeqësisht ka disa që nuk ndryshojnë dot asnjëherë!”, ka shkruar Taravari në rrjetet sociale. 

Ahmeti: Shqiptarët ta braktisin Qeverinë

Por, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka ftuar partitë shqiptare në pushtet që ta braktisin Qeverinë. Sipas tij, projektet në ekzekutiv janë antishqiptare.   

“U kemi bërë thirrje shqiptarëve, edhe ata janë të tanët, që të mos shiten për pesë aspra. Le ta braktisin këtë Qeveri me projekte, nuk nguroj ta them, le ta dëgjoj e gjithë bota, antishqiptare dhe këtë ëndërr nuk mund ta shohin. Nuk është Maqedonia e para viteve 2 000. Maqedonia është e pas viteve 2 000.”, - u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.                                                                  

Ndërsa, Lëvizja “E di”, që është pjesë e koalicionit qeveritar ka deklaruar se janë duke ndjekur zhvillimet në koalicionin VLEN dhe për ta është e papranueshme, që cilido subjekt që është në Qeveri, të bashkëpunojë me BDI-në. (Meral Ismaili, TVM2)