Forumi “BE takon Ballkanin”, Kos: Shqipëria dhe Mali i Zi po lëvizin, inkurajohuni
Zgjerimi mbetet prioritet kryesor i Komisionit Evropian...

Zgjerimi mbetet prioritet kryesor i Komisionit Evropian dhe kjo kohë duhet të shfrytëzohet nga vendet aspirante, duke marrë si shembull avancimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, ka thënë kryetarja e KE-së, Marta Kos, në forum në Sofje kushtuar Ballkanit, duke shtuar se nëse këto dy vende vazhdojnë me suksese, do të mund të integrohen në këtë mandat të institucioneve të BE-së.
Për mediat bullgare, ajo ka shprehur besim se Shkupi dhe Sofja do të gjejnë një zgjidhje për komunitetin bullgar.
“Duhet ta shfrytëzojmë këtë dritare të mundësisë. Mesazhi im kryesor për Ballkanin Perëndimor në këtë forum është: Është e mundur! Për këtë arsye ia vlen të investohet në reforma të BE-së. Në gjashtë muajt e kaluar kemi hapur më shumë klasterë se sa në 5 vitet e fundit. Në të njëjtën periudhë kemi mbyllur më shumë klasterë se në dhjetë vitet e fundit. Pra, ecim para… Nëse Shqipëria dhe Mali i Zi vazhdojnë kështu, do të jenë gati për anëtarësim gjatë këtij mandati të komisionit. Shpresoj që vendet tjera të këtij rajoni të inkurajohen nga ata.”, - deklaroi kryetarja e KE-së, Marta Kos.

Jotova: Sofja, s’bllokon, plotësoni vlerat e BE-së
Ndërkohë, nënpresidentja bullgare, Jotova, thotë se procesin e eurointegrimit të RMV-së nuk e bllokon Bullgaria, përpos që kërkojnë të ruhen vlerat evropiane, atë çka duhet ta bëjë çdo shtet në rrugën drejt BE-së.
“Ky debat po shtrembërohet si këtu në Bullgari, ashtu edhe në skenën evropiane. Ka një përpjekje nga kolegët tanë nga Maqedonia e Veriut për t’i paraqitur kërkesat normale të Bullgarisë, respektimin e kritereve evropiane, si një kapriço nga ana jonë dhe ata gjithashtu po përpiqen t’i fusin ato në një bllokadë dypalëshe, gjë që nuk është e vërtetë.”, - theksoi nënpresidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova.
Dimitrovski: Integrimi, pa kushte bilaterale
Ndërkohë, zyrtarët e vendit kërkojnë që integrimi mos të lidhet pas punës së komisionit të përbashkët mes Shkupit dhe Sofjes, kryesisht për çështjet historike.
“Druajmë se në procesin tonë aderues drejt BE-së do të kalojë në bilaterale dhe do të kushtëzohet nga rezultati i komisionit për histori dhe arsim. Nëse aderimi ynë do të varet nga ato rezultate, atëherë e dimë se si punon komisioni.”, - u shpreh zëvendësministri i Jashtëm, Zoran Dimitrovski.
Ndërkohë kryeministri bullgar, Zheljazov, në forumin “BE-ja takon Ballkanin”, të mbajtur në Sofje, ka përmendur përkrahjen për integrimin e vendeve të rajonit, por pa precizuar asnjë shtet konkret. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
