Vazhdojnë bombardimet izraelite në Gazë, ushtarët izraelitë duan t’i japin fund luftës

17.04.2025 19:25

Të paktën 16 persona humbën jetën dhe 23 të tjerë u plagosën...

Të paktën 16 persona humbën jetën dhe 23 të tjerë u plagosën si pasojë e një sulmi izraelit gjatë natës në kampin e zhvendosurve në Al-Mawasi, në Kan Junis të Gazës jugore. Sulmi ndodhi teksa njerëzit ishin ende në gjumë, duke përfshirë tenda, të cilat më parë ishin deklaruar si “zonë e sigurt” nga forcat izraelite.

Pamje të publikuara nga dëshmitarë tregojnë flakë që përpijnë tendat në errësirë, ndërkohë që banorët përpiqeshin të shpëtonin viktimat nga rrënojat dhe zjarri.

“Kjo është një luftë shfarosjeje. Një luftë gjenocidi. Ne ishim nën vdekje. Pritëm që të gjitha tendat të digjeshin kur dëgjuam zhurmën e raketës. Më pas shpërtheu zjarri. Fqinjët vrapuan drejt vendit të ngjarjes. Unë gjeta disa trupa tërësisht të djegur, madje as eshtrat nuk u kishin mbetur të plota. Edhe aluminin zjarri e shkriu tërësisht dhe në tendë nuk kishte mbetur asgjë veç hirit. Katër familje në katër tenda u dogjën.. Ishte një natë e tmerrshme.”, - u shpreh një i mbijetuar në Gazë.

Ministri i Jashtëm maroken, Naser Bourita, gjatë vizitës së tij në Hungari tha se popujt e Lindjes së Mesme janë lodhur nga luftërat.

“Rajoni i Lindjes së Mesme ka nevojë për një agjendë që largohet nga ekstremistët dhe prishësit dhe në vend të kësaj, bie në duart e atyre që besojnë vërtet në paqe, sepse popujt e rajonit janë të lodhur nga luftërat, nga krizat dhe nga ajo që po ndodh në Gazë, e cila duhet të marrë fund. Ndihma humanitare duhet të arrijë drejtpërdrejt te njerëzit.”, - theksoi ministri  i Jashtëm maroken, Naser Bourita.

Kritikat ndaj dhunës së vazhdueshme të Izraelit në Gazë po bëhet më e fortë edhe në vetë Izraelin.

Fushata filloi me një numër shkrimtarësh dhe akademikësh, por tani ushtarët e ushtrisë izraelite dhe punonjësit e shërbimeve të sigurisë po kërkojnë në një letër të hapur që Izraeli t'i japë fund luftës.   

"Ne e mbështesim absolutisht letrën. Mendojmë se është thelbësore që Qeveria izraelite t'i japë fund kësaj lufte dhe të kthejë të gjithë pengjet dhe t'i japë fund vuajtjeve në Gazë.”, - u shpreh një ish-ushtarak i paidentifikuar.

"Abuzim me ne si ushtarë për një luftë politike. Mos kthimi i pengjeve dhe thjesht vrasja e tyre,  vrasja e masës së të pafajshmëve në Gazë pa ndonjë arsye të arsyeshme dhe morale, duhet urgjentisht të ndalet.", - theksoi ish-rezervisti, Dejvid Salam.

Raportohet gjithashtu për viktima të tjera në Beit Lahija në veri, duke e çuar në 25 numrin e të vrarëve nga sulmet ajrore ndaj të zhvendosurve vetëm në 24 orët e fundit. Sulmi në një zonë të shpallur të sigurt ngre shqetësime serioze humanitare ndërkombëtare, ndërsa popullsia e zhvendosur në Gazë përballet me pasiguri ekstreme dhe dhunë të përhershme. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)