Botë
Floridë, dy të vdekur nga të shtënat në universitet
18.04.2025 09:39
Dy persona kanë vdekur dhe gjashtë të tjerë janë në spital pas të shtënave të enjten në Universitetin Shtetëror të Floridës në Tallahassee...

Një incident me të shtëna ka tronditur kampusin e Universitetit Shtetëror të Floridës, duke lënë pas dy të vdekur dhe të paktën gjashtë persona të plagosur. Policia ka arrestuar një të dyshuar, ndërsa hetimet janë ende në fazat fillestare.
Rajan Cedergren, një student 21-vjeçar, rrëfeu për mediat se u fsheh së bashku me rreth 30 persona të tjerë në katin përdhes të qendrës studentore.
“Në atë moment ishte çështje mbijetese.”, tha ai, ndërsa përshkroi momente ankthi dhe pasigurie derisa forcat e rendit i evakuuan.
Sipas zëdhënësit të Tallahassee Memorial HealthCare, një nga të plagosurit ndodhet në gjendje kritike, ndërsa pesë të tjerët janë në gjendje të rëndë, por të stabilizuar. Departamenti i Policisë së Tallahasee, policia e universitetit, si dhe agjenci të tjera të zbatimit të ligjit reaguan me shpejtësi, duke mbyllur zonën dhe duke marrë kontrollin e situatës. Qindra automjete të shërbimeve emergjente, përfshirë ambulanca dhe zjarrfikës, u panë në vendngjarje.
Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, deklaroi se Departamenti i Drejtësisë është në kontakt të vazhdueshëm me FBI-në dhe agjentët e saj të vendosur në kampus. Deri tani nuk janë dhënë informacione të tjera lidhur me motivin e të dyshuarit apo identitetin e tij.
