Botë

ShBA sulmon Huthit në Jemen, raportohet për 38 viktima

18.04.2025 10:50

Ushtria amerikane tha se ka shkatërruar një port kyç të karburanteve në Jemen...

Ushtria amerikane tha se ka shkatërruar një port kyç të karburanteve në Jemen, që ishte nën kontrollin e rebelëve Huthi. Sipas rebelëve jemenas, nga sulmet ajrore amerikane janë vrarë të paktën 38 persona dhe janë plagosur 102  të tjerë.
Sulmet ajrore të ShBA-së kanë goditur rëndë rebelët jemenas. ShBA-ja nisi një fushatë ajrore nën urdhrin e presidentit amerikan, Donald Tramp, më 15 mars ndaj rebelëve Huthi, me qëllim që të ndalojë sulmet e rebelëve ndaj anijeve tregtare dhe anijeve ushtarake në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit.
 
“Ky agresion krejtësisht i pajustifikuar përbën një shkelje të hapur të sovranitetit dhe pavarësisë së Jemenit dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj mbarë popullit jemenas.”, u tha në deklaratën e rebelëve, që u transmetua nga agjencia shtetërore SABA, që kontrollohet nga ta. “Ai shënjestroi një cak jetik civil që u ka shërbyer jemenasve për dekada me radhë.”.
 
Numri i viktimave me gjasë do të rritet, pasi ende po vazhdon identifikimi.