Botë

Rrëshqitje dheu në Itali, izolohen fshatra! Babë e bir rrëzohen me makinë në përrua, humb jetën njëri prej tyre

18.04.2025 11:37

Moti i keq ka shkaktuar probleme të shumta në rajone të ndryshme të Italisë, duke goditur veçanërisht zonat malore të Massa Carrara dhe Vicenza....

Moti i keq ka shkaktuar probleme të shumta në rajone të ndryshme të Italisë, duke goditur veçanërisht zonat malore të Massa Carrara dhe Vicenza.
 
Reshjet intensive të shiut dhe erërat e forta të mbrëmjes së djeshme kanë sjellë rrëshqitje dheu dhe izolim të fshatrave të tërë.
 
Situata më e rëndë paraqitet në zonën e Montignoso, konkretisht në fshatin Vietina, ku një rrëshqitje dheu në via Buffoni ka bllokuar plotësisht qarkullimin. Autoritetet lokale kanë aktivizuar menjëherë procedurat e emergjencës për të pastruar rrugën dhe për të rikthyer aksesin në fshat, i cili aktualisht është i izoluar.
 
Ndërkohë, një ngjarje tragjike ka ndodhur në Valdagno, në provincën e Vicenzës, ku një makinë me dy persona, babë e bir, ra në një gropë që ishte krijuar për shkak të rrëshqitjes së dheut pranë një ure.
 
Mjeti përfundoi në përroin Agno dhe u zhyt në një pellg të madh uji në zonën Trissino. Pas kërkimeve të natës nga zjarrfikësit e Viçenzës, trupi i njërit prej viktimave është gjetur brenda në makinë, ndërsa kërkimet për personin tjetër vazhdojnë.
 
Autoritetet mbeten në gatishmëri, ndërsa priten përkeqësime të mëtejshme të motit në orët në vijim.