Maqedoni

Beteja për rritjen e pagës minimale pas mbylljes së çështjes së përfaqësimit të LSM-së

18.04.2025 13:54

Ende nuk është thirrur Këshilli Ekonomik-Social në të cilën duhet të diskutohet kërkesa për rritjen e pagës minimale në 500 euro....

Ende nuk është thirrur Këshilli Ekonomik-Social në të cilën duhet të diskutohet kërkesa e sindikalistëve për rritjen e pagës minimale në 500 euro. Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve, Tërpe Deanovski, për TVM2 thotë se pas takimit të realizuar me kryeministrin, Komisioni për përcaktimin e sindikatave reprezentative është takuar disa herë dhe pritjet janë që në një nga mbledhjet e ardhshme, pas festave do të mbyllet çështja e përfaqësueshmërisë së LSM-së. 
 
“Deri më tani komisioni realizoi dy takime për përcaktimin e përfaqësueshmërisë së sindikatave. Mund të them se komisioni është duke punuar dhe mendojë se në mbledhjen e ardhshme do të përcaktohet edhe përfaqësimi i sindikatave, në rast se nuk ndodh diçka e papritur. Ajo që është kushtëzuar nga Qeveria është se derisa nuk përcaktohet përfaqësueshmëria e sindikatave, Këshilli Ekonomik - Social nuk do të punojë, nuk mund të thirret, pasi që ata vlerësojnë se nuk ka kushte për të punuar. Thuhet se  pasi që do të zgjidhet çështja e sindikatave reprezentative, atëherë do të mund të diskutohet edhe për rritjen eventuale të pagës minimale më shumë se 1.800 denarë, që tani më është rritur.”, - deklaroi kryetari i Sindikatës së PAOGjSh-së, Tërpe Deanovski. 
 
Deanvoski shpreson se Qeveria dhe Sindikata e punëtorëve të administratës do të arrijnë t’i sheshojnë dallimet dhe t’i nënshkruajnë marrëveshjet kolektive me të cilat do t’u mundësohet të punësuarve në administratën shtetërore të fitojnë shtesat e pagave prej 30 për qind.
 
“PAOGjShQ dhe Qeveria kishin arritur marrëveshje gojore, që të nënshkruhen marrëveshjet kolektive në organet shtetërore për shlyerjen e shtesave të pagave dhe në këtë drejtim ne ishim kushtëzuar nga Qeveria, gjë e cila nuk është në kuadër të sindikatës sonë. Por, do të shohim, duhet të takohemi edhe disa herë për t’i sheshuar dallimet dhe qëndrimet dhe shpresoj se deri në fund të muajit maj do të jetë gjithçka gati për t’i nënshkruar marrëveshjet ku të punësuarit në sektorin publik, të cilët kanë paga më të ulëta të përfitojnë rritje përmes shtesave në pagë në vlerë prej 30%. Shtesat do të ndahen në katër vite, ku deri në fund të mandatit të kësaj qeverie parashikohet të punësuarit t’i fitojnë këto 30 për qind.”, - theksoi kryetari i Sindikatës së PAOGjSh-së, Tërpe Deanovski. 
 
Sindikalistët nuk heqin dorë, paga minimale në vend medoemos duhet të jetë 500 euro dhe të ketë rritje lineare të pagave në sektorin publik dhe privat. Vlerësojnë se shteti është punëdhënës më i madh në vend, pasi që numëron rreth 129 mijë të punësuar dhe nuk është humane, tha Deanovski, që të lihen punëtorët në pritje në kushte kur janë rritur shpenzimet e jetesës. Në fund të muajit mars, Qeveria duke vepruar në përputhje me ligjin dhe metodologjinë për pagën minimale, me të cilën janë respektuar të gjitha palët e interesuara, gjegjësisht sindikatat dhe punëdhënësit, shpallën shumën e pagës minimale në fund të marsit në vlerë prej 400 eurosh, respektivisht ajo është rritur për 1.800 denarë neto.  
 
REXHEP QAMILI