Maqedoni
Hyri në fuqi obligimi për çmimet onlajn, LOE: Kishte kohë të mjaftueshme për përgaditje
18.04.2025 14:20
Të gjithë tregtarët që ushtrojnë veprimtari me pakicë prej sot janë të obliguar të publikojnë çmimet e produkteve në ueb-faqet e tyre zyrtare...

Të gjithë tregtarët që ushtrojnë veprimtari me pakicë përfshirë marketet ushqimore, barnatoret, si dhe dyqanet e teknikës dhe mobileve, prej sot janë të obliguar të publikojnë çmimet e produkteve në ueb-faqet e tyre zyrtare.
Shoqata e barnatoreve private në bashkëpunim me odën e farmacistëve kanë reaguar ndaj kësaj mase, duke theksuar se ato nuk mund të trajtohen njësoj si marketet. Kjo masë e zvogëlon mundësinë e dhënies së shërbimeve shëndetësore ndaj pacientëve, për shkak të kohës dhe përgjegjësive shtesë që dalin nga kjo rregullore, kanë theksuar nga shoqata e barnatoreve private, e cila për këtë mospajtim e ka njoftuar edhe Misnitrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë. Por, nga Lidhja e Odave Ekonomike thonë se ka pasur kohë të mjaftueshme që pjesmarrësit në treg të krijojnë kushtet për ta zbatuar këtë masë, ndërsa për ata që kanë vështërsi rekomandon t’i drejtohen Qeverisë për të kërkuar kohë shtesë.
“Është lënë kohë e mjaftueshme që çmimet të publikohen në ueb-faqe, por nëse duhet periudhë e mëtejme për adaptim, ndoshta është mirë të komunikohet me Qeverinë dhe të mundësohet periudhë shtesë varësisht nga nevojat. Nuk është e thjeshtë e gjithë puna, por vlerësojmë se periudha është e mjaftueshme.”, - theksoi Goran Gjorgjievski nga Lidhja e Odave Ekonomike.
Kjo masë nuk aplikohet për herë të parë në vendin tonë, thotë Gjorgjievski, sipas të cilit kjo masë është aplikuar në disa vende dhe ka dhënë rezultate për rregullimin e çmimeve.
“Këtë masë nuk e kemi shpikur ne apo që është autentike nga vendi ynë. Kjo është aplikuar edhe në Kroaci dhe Izrael dhe është dëshmuar si mjet i mirë për rregullimin e çmimeve, përkatësisht për transparencë dhe informim më të mirë.”, - u shpreh Goran Gjorgjievski nga LSM.
Qytetarët, skeptik për zbatimin dhe efektet
Qytetarët janë skeptikë në zbatimin e kësaj mase, e sidomos në ndikimin që mund të ketë për uljen e çmimeve.
“I nxjerrin onlajn, ndërsa kur të shkosh për të blerë janë ndryshe. Sot nuk kam shikuar, ditëve tjera çmimet i vendosin të vjetra, ndërsa kur të shkosh për të paguar ka çmim tjetër.”, - tha një qytetar.
“Nuk më intereson, sepse ka 30 vite që sjellin ligje, por nuk i zbatojnë.”, - u shpreh një qytetar.
“Do t’i shikojmë, por nuk besoj se do të ketë, kur të shkosh në praktikë e ke tjetër. Në disa markete e ke çmimin tjetër në raft, ndërsa kur shkon për pagesë e ke dyfish. Vetëm nëse e merr një artikull e kupton se diferenca është e madhe. Për ndryshe nuk mund ta kuptosh, sepse atje ka tjetër çmim e kur shkon të paguash ka tjetër”, - u shpreh një qytetar tjetër.
“Çmimet e marketeve do të jenë onlajn, por kur hymë aty nuk preket asnjë gjë.”, - tha një qytetar.
“As onlajn, as asgjë, çmimet vetëm po shkojnë duke u rritur.”, - tha një qytetar tjetër.
“Kam dëgjuar diçka mbrëmë në TV, mirëpo nuk u besoj. Me të vërtetë nuk u besoj, sepse ka humbur besimi, e kur humb besimi humb krejt.”, - theksoi një qytetar.
Obligimi për publikimin e çmimeve onlajn është në përputhje me ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve më 25 shkurt, dhe rregullores së përpiluar nga Ministria e Ekonomisë për mënyrën e publikimit të çmimeve të mallrave. Në rregulloren theksohet se tregtarët e vogël, të mesëm dhe të mëdhenj, që kryejnë veprimtari tregtare me pakicë në përputhje me Klasifikimin e veprimtarive i publikon çmimet e mallrave që plason në treg në ueb-faqen e tyre në mënyrë të qartë dhe të qasshme, përmes një pjese të veçantë të ueb-faqes së tregtarit të dedikuar për çmimet. Çmimet e publikuara duhet të jenë të disponueshme pa pasur nevojë për regjistrim ose hyrje shtesë. Tregtarët duhet të përditësojnë çmimet e mallrave në baza ditore, respektivisht çdo ditë deri në orën 10:00. Në rast të gabimit teknik pa dashje në përditësimin e çmimeve dhe mallrave, tregtari duhet ta korrigjojë gabimin në afat prej 24 orësh.
ABIBE QAILI
