Tragjedia në Koçan, masë kujdesi për të dyshuarin pas hospitalizimit
Prokuroria Themelore në Koçan...

Prokuroria Themelore në Koçan ka kërkuar masa kujdesi për njërin nga të dyshuarit për tragjedinë në Koçan, i cili deri më tani ka qenë në mjekim.
Sipas Prokurorisë, masa e kërkuar është në pajtueshmëri me gjendjen e tij shëndetësore dhe nevojën për mjekim të mëtutjeshëm.
Ndërkohë, zëvendësim të masës së paraburgimit shtëpiak me masë kujdesi kërkohet për dy ish-drejtorë të Inspektoratit Shtetëror të Tregut.
“Prokuroria Themelore Publike e Koçanit, duke vepruar në rastin e zjarrit në klubin e kabaresë “Puls”, ka dorëzuar propozim në Gjykatën Themelore në Koçan për zëvendësimin e masës së caktuar paraprakisht paraburgim shtëpiak me masë kujdesi për dy të dyshuarit në cilësinë e ish-drejtorëve të Inspektoratit Shtetëror të Tregut. Zëvendësimi i masave është kërkuar në bazë të vlerësimit të bazave ligjore për sigurinë dhe fazës së verifikimit, sa i përket këtij institucioni. Përveç kësaj, për herë të parë që nga ngjarja, është kërkuar masa kujdesi edhe për një person tjetër nga grupi i parë i të dyshuarve, i cili deri më tani ishte në kurim. Bëhet fjalë për një person nga diskoteka dhe masat janë propozuar në përputhje me gjendjen aktuale shëndetësore dhe nevojën për mjekim të mëtejshëm.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Aktualisht në paraburgim shtëpiak janë tre ish-kryetarët e komunës së Koçanit, Lupço Papazov, Ratko Dimitrievski dhe Nikolço Iliev.
Ndërkohë, prej ish-ministrave të Ekonomisë vetëm Kreshnik Bekteshi ndodhet në paraburgim efektiv, Bekim Neziri dhe Valon Saraçini janë në paraburgim shtëpiak, ndërsa për Driton Kuçin janë caktuar masa kujdesi.
Për tragjedinë në Koçan, si pasojë e së cilës gjetën vdekjen 62 persona dhe rreth 200 u lënduan, të dyshuar janë 59 persona fizikë dhe 3 persona juridikë. (Florije Kamberi, TVM2)
