Maqedoni
Pjesë e sektorit publik pa paga, Sindikata e kulturës paralajmëron padi
18.04.2025 15:11
Të punësuarit në institucione mbeten pa pagat e muajit mars....

Të punësuarit në institucionet e kulturës, qendrat sociale, inspektoratet e punës dhe të tregut si dhe të punësuarit në Ministrinë e Ekonomisë mbeten pa pagat e muajit mars. Qeveria ka shkelur afatin ligjor të datës 15 për pagesën e muajit paraprak. Të punësuarit e kulturës nëpërmjet një komunikate thonë se problemi është i vazhdueshëm. Ata të martën do të dalin në protesta, ndërkaq paralajmërojnë edhe padi.
“Sindikata e Kulturës do të protestojë më 22 prill 2025, e martë, në mesditë para Ministrisë së Kulturës. Do të ngremë padi individuale ndaj institucioneve për pagesën me vonesë të pagave në tre vitet e fundit.”, thonë nga Sindikata e Kulturës në komunikatën e tyre për media.
LSDM fajëson Qeverinë, kërkon llogari
Për vonesën e pagave ka reaguar edhe LSDM. Socialdemokratët kërkojnë pagesën urgjente, si dhe përgjegjësi përse të punësuarit nuk morën paga para festës së pashkëve.
“Këta qytetarë do ta presin festën të dëshpëruar, pa pasur mundësinë që të mbulojnë nevojat bazike. DPMNE në mënyrë të vrazhdë dhe pa asnjë gram ndërgjegje po shkel ligjin për pagesën e pagave për të gjithë të punësuarit deri më datën 15 për muajin paraprak. Për Qeverinë e Mickoskit ose nuk vlejnë ligjet ose aspak nuk kujdesen për të punësuarit.”, - theksoi nënkryetarja e LSDM-së, Kristina Kostova.
Sipas socialdemokratëve, në këto dhjetë muaj, jeta e punëtorëve u shndërrua në mbijetesë, standardi jetësor ka prekur fundin, ndërkaq çmimet vazhdimisht po rriten. Sipas tyre, pagat janë më të ulëtat në rajon.
MERAL ISMAILI
