Vazhdojnë sulmet izraelite në Gazë, Hamasi kërkon paqe për lirimin e pengjeve

18.04.2025 16:31

Dronët izraelitë qëlluan me raketa të shumta...

Dronët izraelitë qëlluan me raketa të shumta disa shtëpi në lindje të Kan Junisit zonën Tel al-Zatar, duke vrarë dhjetëra civilë. Në mesin e viktimave janë edhe 10 anëtarët e së njëjtës familje në Bani Suheila.

Sulmet izraelite u raportuan në disa lokacione të tjera në Gazë. Numri i saktë i të vrarëve nuk dihet, pasi të mbijetuarit e kanë të vështirë t’i nxjerrin trupat nga rrënojat.

“Ishim duke fjetur, papritur na goditën me raketa. Njerëzit u dogjën për së gjalli, u bënë hi. Çfarë është kjo? Kjo nuk është luftë, kjo është gjenocid i përbashkët.”, - tha një banor i Gazës.

“Sapo nxorëm një person me aftësi të kufizuara nga rrënojat, ishte në karrocë, i djegur krejtësisht.”, - tha një banor tjetër i Gazës.

“U vranë 20 refugjatë, të gjithë janë dëshmorë.”, - u shpreh një banor i Gazës.

Ndërkohë Hamasi thotë se është gati të lirojë të gjithë pengjet e mbetura izraelitë në Gazë në këmbim të përfundimit të luftës dhe tërheqjes së ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës.

“Në dritën e këtij qëndrimi të qartë për pushtimin, theksojmë gatishmërinë e lëvizjes për të filluar menjëherë negociatat për një paketë gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të gjithë të burgosurit e rezistencës dhe një numër i rënë dakord i të burgosurve palestinezë në burgjet okupuese të lirohen në këmbim të një ndërprerjeje të plotë të luftës ndaj popullit tonë dhe një tërheqje të plotë nga rruga për t'i dhënë fund Gazës.”, - deklaroi kryenegociatori i Hamasit, Khalil al-Haja.

Izraeli: Hamasi paguan çmimin e 7 tetorit

Ndërkohë Izraeli i quan “përbindësha” militantët e Hamasit dhe vazhdon me të njëjtat narrativa, ”se civilët në Gazë paguajnë çmimin e gabimeve të 7 tetorit.”.                           

“Gjithçka që po ndodh tani nuk është pasojë e asgjëje tjetër përveç urrejtjes së egër që Hamasi mbarti dhe zbatoi më 7 tetor. Dhe tani po paguajnë çmimin dhe, tragjikisht, edhe shumë njerëz të pafajshëm po e paguajnë këtë çmim për mëkatet dhe të keqen e këtyre përbindëshave të Hamasit.”, - theksoi ambasadori i ShBA-së në Izrael, Majk Hukabe.                                     

Ndërkohë pakënaqësitë për politikbërjen e Netanjahut vazhdojnë të bëhen edhe më të zëshme. Numri i izraelitëve që kanë nënshkruar peticionet që kërkojnë kthimin e pengjeve nga Gaza, edhe nëse kjo nënkupton ndalimin e luftës kundër palestinezëve, është rritur në 128 mijë, me afro 50 peticione që po qarkullojnë aktualisht.

Sipas faqes së internetit "Restart Israel", më shumë se 11 mijë ushtarë rezervë dhe në pension kanë nënshkruar 20 peticione nëpër njësi të ndryshme ushtarake izraelite.

Javën e kaluar, kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, akuzoi nënshkruesit ushtarakë për mosbindje dhe i kërcënoi ata me shkarkim.

Ai pretendoi se grupet e financuara nga jashtë po mbështesnin përpjekjet për të rrëzuar koalicionin e tij, i cili mori detyrën në fund të vitit 2022. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)