Sulmet ajrore amerikane në Jemen, 58 të vdekur, dhjetëra të plagosur

18.04.2025 17:13

Sulmet ajrore amerikane ndaj portit të karburantit Ras Isa në Jemen...

Sulmet ajrore amerikane ndaj portit të karburantit Ras Isa në Jemen, kanë lënë pas të paktën 58 të vdekur dhe 126 të plagosur. Në pamjet e publikuara, nga mediat lokale duken njerëz të plagosur rëndë duke u dërguar me urgjencë në spital, disa me djegie të rënda në këmbë dhe trup.

Sulmi ndodhi pasdite në momentin kur shumë prej viktimave ishin duke punuar apo furnizuar automjetet me naftë në zonën e portit.

“Ishte pasdite. Po rrinim dhe po mbushnim naftë. Papritur ra një raketë mbi stacionin Galaksi, afër rezervuarëve të karburantit. Ishim aty dhe filluam të vraponim. Goditën zonën e punës në Bahrein. Po shkoja drejt vendit të naftës. Raketat binin njëra pas tjetrës. Bota u kthye në zjarr. Dalim dhe sa herë që godisnin, kërkonim strehë kudo që mundeshim. Vendin ku ndodheshim e goditën që askush të mos ikte.”, - tha  i mbijetuari i sulmit. 

“Filluam të vraponim duke ndjekur raketat dhe duke ikur prej tyre. Nuk na lanë asnjë vend të sigurt. Goditën edhe apartamente civile, zona të banimit. Asnjë objekt ushtarak!”, - tha një i mbijetuari i sulmit.

“Nuk e di. Rashë përtokë, raketa goditi me fuqi, me presion të tmerrshëm. Shumë jetë civilësh përfunduan.  O Zot, shumë njerëz nuk trembeshin fare, asnjë qime nuk u lëviz, as tek ne nuk lëvizi një qime. Më mirë të mos jemi, sesa gjaku i Gazës të derdhet mbi tokë. Dijeni se edhe neve na pret e njëjta situatë si Gazën dhe asaj rruge ecim, por kjo nuk më tremb.”, - u shpreh një i mbijetuar i sulmit.

Ushtria amerikane ka kryer sulme të vazhdueshme ndaj objektivave të Huthive gjatë muajit të fundit, në përpjekje për të ndalur sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit. Por, kjo ngjarje në Ras Isa ka shkaktuar zemërim dhe tronditje të thellë, duke nxitur akuza për sulme ndaj civilëve dhe shkelje të të drejtave të njeriut. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)