Botë
Libia kundër BE për emigrantët
11.05.2015 17:38
Libia kritikon propozimin e Bashkimit Europian që autorizon përdorimin e forcës kundër trafikantëve të emigrantëve...

Libia kritikon propozimin e Bashkimit Europian që autorizon përdorimin e forcës kundër trafikantëve të emigrantëve, që detyrohen të përshkojnë Detin Mesdhe në kushte shumë të vështira për të prekur brigjet e Europë.
Ambasadori i Libisë në Kombet e Bashkuara, Ibrahim Dabbashi i tha BBC-së se qëllimet e Bashkimit Europian janë “të paqarta” dhe “shumë shqetësuese”.
Bashkimi Europian po kërkon një mandat të OKB-së, që të lejojë ndërhyrjen ushtarake për të shkatërruar apo ndaluar barkat e trafikantëve në ujërat e Libisë.
Shefja e politikës së Jashtme dhe Sigurisë në Bashkimin Europian, Federika Mogerini do ta bëjë propozimin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të hënën në New York.
Masat, janë pjesë e planit të propozuar nga BE, për të shmangur tragjeditë në det. Organizata e Kombeve të Bashkuara vlerëson se 60 mijë persona jane përpjekur të përshkojnë Detin Mesdhe në fillim të këtij viti, ndërsa më shumë 1800 humbwn jetën tragjikisht.
Komisioni Europian të mërkurën do të propozojë sistemin e kuotave për shpërndarjen e azilkërkuesve brenda Bashkimit Europian, që pritet të ndezë shumë debate.
Grupi i Drejtave të Njeriut “Amnesty International” paralajmëroi se çdo ndërhyrje ushtarake do të sjellë pasoja më të rënda për emigrantët që ndodhen në Libi, në pritje për t’u nisur drejt Europës.
