Maqedoni

Aksident trafiku: Humbin jetën 3 persona, lëndohen 8 të tjerë, Toshkovski: Shkak, shpejtësia e tepruar

19.04.2025 13:46

Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se në rrugën magjistrale Kërçovë-Gostivar...

Tre të vdekur dhe tetë të lënduar është bilanci nga aksidenti në rrugën magjistrale Kërçovë-Gostivar ku u përplasen tre automjete përnjëherë. Ekipet e përbashkëta të policisë dhe të prokurorisë kanë kryer kontrollet e nevojshme në vendin e ngjarjes afër fshatit Trapcin Doll.
 
Numri “një” i MPB-së Pançe Toshkovski ka njoftuar se shpejtësia e pa përshtatshme e njërit prej drejtuesëve të atuomjeteve i cili tashmë ka ndërruar jetë ka qenë shkak i aksidentit. Toshkovski shprehet i shqetësuar nga numri i aksidenteve për tremujorin e parë të këtij viti.
 
“Në aksidentin e mbrëmshëm të trafikut, fatkeqësisht humbën jetën tre persona. Sipas informacioneve të mia fillestare, bëhet fjalë për shpejtësi të tepruar nga një prej drejtuesit të automjeteve, i cili fatkeqësisht ka ndërruar jetë. Numri i viktimave në trafik në tremujorin e parë të këtij viti, është afërsisht i ngjashëm me vitin e kaluar. Shifrat janë katastrofike në krahasim me standardet evropiane ”, u shpreh ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkovski.
 
PTHP: Trupat janë dorëzuar për obduksion
 
Prokuroria themelore ka dhënë urdhër për obduksion në trupin e secilës prej kufomave, ndërsa të lënduarit ndodhen në mjekim spitalor në Kërçovë dhe Shkup.
 
“Prokuroria Publike e Shtetit nga vendi i aksidentit grumbulluan gjurmë që do t’i nënshtrohen analizës mjeko-ligjore, ndërsa trupat e të ndjerëve janë dorëzuar për obduksion dhe është lëshuar urdhër për testim për praninë e mundshme të alkoolit apo substancave tjera te të lënduarit. Me udhëzimet e prokurorit publik vazhdojnë të ndërmerren edhe disa veprime të tjera”, njoftojnë nga Prokuroria Publike. 
 
Kreu i komunës së Kërcovës, Fatmir Dehari, publikoi emrat e dy viktimave nga fshati Shitovë. 
 
“Një aksident tragjik na mori dy njerëz të dashur, Hadi dhe Besa Eminin nga Shitova — prindër të tre fëmijëve të vegjël. Humbje që nuk përshkruhet me fjalë… Dy jetë të ndritura u shuan para kohe, duke lënë pas dhimbje të thellë.” – shkruan Dehari.
 
REXHEP QAMILI