Maqedoni
Tragjedia në koçan, MPB: Vazhdojmë hetimet profesionalisht
19.04.2025 15:01
Familjarët e viktimave të tragjedisë në diskotekën “Puls”...

Familjarët e viktimave të tragjedisë në diskotekën “Puls”, të shoqëruar me bashkëqytetarët për të tretën herë me rradhë në marsh protetues në rrugët e Koçanit. Kërkojnë dënime për fajtorët e rastit që u mori jetën mbi 60 të rinjëve.
Sipas familjarëve, faji qëndron në sistemin shtetëror të cilët theksojnë se është i korruptuar. Ndërkohë, nga MPB-ja me deklaratë se ky organ vepron sipas urdhëresave të Prokurorisë dhe presin zbardhje sa më të shpejt të rastit tragjik.
"Në lidhje me hetimin që udhëhiqet nga ana e Prokurorisë Publike, e gjithë ajo që është ndërmarrë deri më tani është bërë e njohur për opinionin. Hetimi ende vazhdon ndërkaq pas marrjes së urdhërave dhe drejtimive nga Prokuroria Publike, Ministria e Punëve të Brendshme vepron dhe shpresojmë se maksimalisht për periudhë kohore sa më të shkurtër do ta përmbyllim tërë hetimin që të mund të vazhdohet me pjesën tjetër të procedurës”, u shpreh ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkovski.
BDI: Hetimi shmang parimet e drejtësisë
Ndërkohë, BDI-ja vazhdon me reagime ndaj zhvillimeve të fundit të arrestimeve për tragjedinë re Koçanit. Opozita shqiptare me kritkë ndaj prokurorisë për qasjen e hetimit të tragjedisë. Ky subjekt akuzon se rasti nuk po udhëhiqet nga parimet e drejtësisë.
“Në vend që hetimi të zhvillohet me standarte të drejtësisë, Prokuroria po e orienton atë drejt populizmit dhe shpëtimit të Qeverisë. Shndërrimi i një tragjedie në mjet për përfitim personal apo promovim institucional, është një devijim i rrezikshëm që mund të sjellë pasoja të mëdha. Prandaj e përsërisim edhe një herë apelin tonë: Prokuroria duhet menjëherë ta ndërpresë lidhjen transaksionare me Qeverinë.” – thuhet në kumtesën e BDI-së.
LSDM: Nuk hetohen përgjegjësit e vërtetë
Edhe LSDM-ja akuzon për qasje selektive të organeve kompetente në gjetjen e fajtorëve në tragjedinë e diskotekës “Puls”.
“Hetimi për Koçanin është selektiv. Po mbrohen përgjegjësit e tragjedisë. Hetimi u shndërrua në teatër klasik politik në regji të DPMNE-së. Në vend që të fokusohet në lëshimet aktuale të asaj nate, kur policia nuk reagoi, objekti nuk është mbyllur dhe është lejuar prania e të miturve dhe mjeteve piroteknike, pushteti shkon dhjetë vjet prapa me qëllim që t’i mbrojë kryeshefat aktual që janë përgjegjës për ngjarjen.” – thuhet në kumtesën e LSDM-së.
VMRO: BDI dhe LSD, sinonim i kriminalitetit
Përgjigjia e VMRO- së është se akuzat e BDI-së dhe LSDM-së janë të palogjikshme sepse rasti po ndiqet profesionalisht dhe nuk ka selektim në arrestime.
“LSD-ja dhe BDI-ja janë sinonim i tradhëtisë, kriminalitetit dhe paaftësisë. Në historinë e Maqedonisë nuk ka pasur aksion ku janë burgosur: minisitër aktual, kryetar komune aktual, ish kryetarë komunash dhe në të njëjtën kohë edhe ministra. Është e palogjikshme që LSD-ja dhe BDI-ja të thonë se ka aksion selektiv dhe të njëjtat ku kryetarët e tyre ngarkohen për para të vjedhura”, theksoi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
Për tragjedinë në Koçan si pasojë e së cilës gjetën vdekjen 62 persona dhe rreth 200 u lënduan, të dyshuar janë 59 persona fizik dhe 3 persona juridik. Aktualisht, në paraburgim shtëpiak janë tre ish kryetarët e Komuës së Koçan, Lupço Papazov, Ratko Dimitrievski dhe Nikolço Iliev.
Ndërkohë, prej ish Ministrave të ekonomisë vetem Kreshnik Bekteshi ndodhet në paraburgim efektiv, Bekim Neziri dhe Valon Saraçini janë në paraburgim shtëpiak, ndërsa për Driton Kuçin janë caktuar masa kujdesi.
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU
