Botë

Kosovë: Betohen 119 deputetë të legjislaturës së nëntë, dështon zgjedhja e kryeparlamentarit

19.04.2025 16:14

Me 119 vota pro, në Kuvendin e Kosovës ka kaluar raporti për Verifikim e Kuorumit dhe Mandateve të Deputetëve...

Me 119 vota pro, në Kuvendin e Kosovës ka kaluar raporti për Verifikim e Kuorumit dhe Mandateve të Deputetëve, të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Miratimi i raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, hapi rrugën e betimit të deputetëve të kuvendit të Kosovës.
 
Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së re bënë betimin në seancën konstituive të Kuvendit kosovar. 
Kreu u PDK-së Memli Krasniqi ka thënë se të gjitha bllokadat që kanë ndodhur këto katër ditët e fundit nga LVV-ja, janë për faktin se nuk i kanë numrat.
 
“Ishin 52, qenkan bërë 57, nuk e besoj që do të bëhen 61”, ka thënë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. 
 
Hykmete Bajrami nga LDK-ja ka pohuar se nuk kanë ndryshuar qëndrim por se u janë ofruar dorëheqjet e kabinetit qeveritar.
 
“U transmetua kinse kemi ndërruar qëndrim, por nuk kemi ndërruar. Janë krijuar rrethanat e reja, Komisioni për Verifikim të Mandateve është mbledhur dhe ka bërë evidentimin e deklaratave publike të kryeministrit dhe ministrave, dhe i ka pranuar të njëjtat si dorëheqje. E kemi thënë dhe në takimin konsultativ se nëse raporti votohet në Komision, grupi parlamentar i LDK-së do të votoj”, ka thënë Bajrami.
 
Albulena Haxhiu e propozuar nga Vetvendosja nuk u votua për kryetare të shtëpisë legjislative kosovare ngaqë nuk i mori numrat e nevojshëm. Pro ishin 57 deputetë, 20 kundër dhe tre abstenime.  Haxhiu nuk u zgjodh as në tentimin e dytë, me çka pas dy dështimeve, kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari ka njoftuar shtyerjen e seancës për të hënën. 
 
Në zgjedhjet e fundit, asnjëra parti nuk ka fituar vota të mjaftueshme që të qeverisë e vetme. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë së parë, që në këtë rast është Vetëvendosja. Pas konstituimit të Kuvendit, do të hapej rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës
 
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU