Botë

Australi, masa të ashpra ndaj firmave që u shmangen taksave

11.05.2015 17:46

Kreu i Thesarit në Australi, Joe Hockey, tha se qeveria do të prezantojë masa të ashpra fiskale kundër 30 korporatave shumëkombëshe....

Pa i identifikuar ato, Hockey tha se korporata të mëdha po devijonin të ardhurat e fituara në Australi jashtë Australisë, në vende ku taksat janë të ulta. 
 
Ai i cilësoi masat si të parat e kësaj natyre në botë. Legjislacioni do të prezantohet të marten, në Parlament.
 
Hockey shtoi se ishte shumë e qartë se cilat kompani do të jenë në shënjestër. Firma të mëdha, si Google, Apple dhe Microsoft janë akuzuar se kanë zhvendosur përfitimet e tyre në vende me taksa më të ulta. 
 
Me një fushatë të tillë, Australia i bashkohet Britanisë së Madhe në përpjekjen për të luftuar shmangien e taksave nga kompanitë e mëdha, edhe pse Hockey tha se legjislacioni i propozuar do të shkojë shumë më tej se taksat aktuale të Britanisë së Madhe.
 
Masat e reja do të lejojnë zyrën e taksave në Australi të vendosin taksa edhe mbi fitimet e devijuara jashtë vendit. 
 
Ligji pritet të hyjë në fuqi në janar të vitit të ardhshëm, por me parë duhet të miratohet nga Parlamenti. 
 
Një pjesë e madhe e të ardhurave të qeverisë australiane sigurohen nga firmat e minierave për produkte të tilla, si hekuri dhe qymyri.
 
Por kreu i Thesarit tha muajin e kaluar se qeveria pësoi humbje prej miliarda dollarësh, pas rënies së çmimit të hekurit. Pavarësisht kësaj, qeveria mbetet e përkushtuar për arritjen e bilancit pozitiv.