Botë

Shqiptarët katolikë në vigjilje të Pashkës, arkipeshkvi Dodaj: “Të ndalim dimrin demografik”

19.04.2025 17:42

Shqiptarët katolik në Shqipëri dhe Kosovë festojnë pashkët...

Në vigjilje të Pashkës në Shqipëri, Kryepeshkvi i Kishës Katolike të Shqipërisë, Imzot Arjan Dodaj, dha mesazhin e tij duke kërkuar më tepër mbështetje për çiftet e reja, për të ndaluar emigrimin e shqiptarëve.
 
Ai tha se është koha që të gjithë ne duhet të promovojmë njeriun që jeton dhe punon me ndershmëri.
 
“Në këtë vit jubilar është më e fortë ftesa për t’u kthyer nga Zoti. Shpeshherë njeriu, i bërë për gjërat e bukura, angazhohet dhe lodhet për bukuri kalimtare që jo rrallëherë bëhen fasadë dhe zhgënjejnë. Kemi nevojë për bukuritë që gjenerojnë të ardhmen, siç është familja, veçanërisht tek çiftet e reja, sepse pa çiftet e reja do të thellohet më tej dimri demografik”, u shpreh Kryepeshkvi i Kishës Katolike të Shqipërisë, Imzot Arjan Dodaj
 
Sipas kreut të Kishës Katolike për Shqipërinë, drita e Pashkëve duhet të ndriçojë njerëzimin drejt një rruge të drejtë, duke qëndruar larg kompromiseve individuale. Pashka duhet të jetë një ditë ringjalljeje e shpresës, dashurisë dhe mirësisë për një jetë më të begatë.
 
Edhe në Kosovë të krishterët katolikë festojnë Pashkët. Në vigjilje të kësaj feste sonte do të mbahet mesha solemne e Pashkëve në Katedralen ‘Shën Nënë Tereza’, të cilës do t’i prijë Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me meshtarët e ipeshkvisë.
 
Të dielën në ditën e Pashkës, do mbahet meshë në Katedralen ‘Shën Nënë Tereza’. Ndërsa pritja solemne e Pashkës, do të mbahet në Qendrën “BogdaniPolis” që gjendet nën Katedralen ‘Shën Nënë Tereza’.
 
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU