Maqedoni
Lokalet dhe ndasitë në VLEN, Neziri: I dëmshëm për spektrin politik shqiptar
20.04.2025 15:28
Koalicioni VLEN është përballur me një goditje të rëndë politike pas largimit të krahut...

Koalicioni VLEN është përballur me një goditje të rëndë politike pas largimit të krahut të Aleancës për Shqiptarët, të udhëhequr nga Arben Taravari, duke sjellë reagime të shumta dhe ngjallur shqetësim për pasojat në balancën politike mes partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, vlerëson analisti politik Xhelal Neziri, i cili ndarjen e Taravarit nga VLEN e cilëson si një zhvillim të dëmshëm për të gjithë spektrin politik shqiptar.
“Nuk është mirë që një koalicion të shpërbëhet apo të ndahet në këtë mënyrë. Nuk është mirë për shkak se ishte pikërisht krahu i Aleancës për Shqiptarët i drejtuar nga Taravari ai i cili në njëfarë forme e bëri atë baraspeshën në skenën politike shqiptare duke krijuar dy blloqe të fuqishme në këtë skenë dhe tani dalja e tij nga ky koalicion në njëfarë forme i ka prishur këto balance politike të cilat janë të nevojshme për një funksionim të mirëfilltë të skenës politike, sidomos kur bëhet fjalë për avancimin e pozitës dhe të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Andaj mendoj se rënimi i koalicionove është një lajm jo i mirë për pjesën më të madhe të shqiptarëve që jetojnë këtu”, u shpreh analisti politik Xhelal Neziri.
Neziri: Më i natyrshëm ribashkimi me Selën
Pas largimit nga VLEN, Neziri thotë se Taravari duhet të ribashkohet me Selën për të forcuar pozicionin politik, ndërsa një koalicion me BDI-në tha se do të ishte artificial. Sipas tij, bashkëpunimi mes Taravarit dhe Ahmetit mund të ndodhë vetëm në ndonjë komunë, dhe atë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
“Më e natyrshme do të ishte bashkimi i këtyre dy krahëve ose ribashkimi në një parti politike dhe me këtë të forconin pozitën e tyre në skenën politike shqiptare. Sa ka mundësi që të bashkëpunoj me BDI-në mendoj se është pak e mundshme për shkak se këto dy parti edhe kanë qenë në një opozitarizëm, mos të them konflikt politik midis tyre për një kohë të gjatë. Kanë qenë në një betejë politike të gjatë, kështu që një bashkim i tyre do të ishte artificial. Nuk është i imagjinueshëm thjesht një bashkim i z. Taravarit me z. Ahmeti në një koalicion. Bashkëpunimi midis tyre mund të jetë realitet vetëm në disa komuna të caktuara edhe atë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale”, theksoi Neziri.
Analisti politik, Xhelal Neziri gjithashtu theksoi nevojën e një rikonstruimi të mundshëm të Qeverisë para zgjedhjeve lokale, që siç tha jo vetëm për shkak të largimit të mundshëm të Aleancës së Taravarit, por edhe për shkak të performancës së dobët të disa ministrave nga partitë partnere të koalicionit qeveritar.
Trazirat brenda koalicionit VLEN nisën pasi Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Arben Taravari, vendosi të marrë pjesë në zgjedhjet lokale me lista të veçanta për këshilltarë, pra jashtë koalicionit.
Si reagim, liderët e tjerë të VLEN-it, Mexhiti, Kasami dhe Ibrahimi, deklaruan se me këtë vendim, Taravari është vetëpërjashtuar nga koalicioni dhe nuk konsiderohet më pjesë e tij.
Paralajmëruan se do të kërkojnë largimin e ASH-së, nga koalicioni qeverisës. Ndërkaq, Taravari ka deklaruar se ai nuk e ka braktisur koalicionin VLEN me të cilin garoi në zgjedhjet parlamentare dhe se është i hapur për bashkëpunim edhe në zgjedhjet lokale.
Sa i takon pjesëmarrjes në Qeveri, ka sqaruar se negociatat i ka bërë me mandatarin dhe nuk e ka në plan të braktis Qeverinë.
ARMEND MURSELI
