Maqedoni

Shëndetësi, virozat dhe alergjitë me simptome të ngjashme

20.04.2025 15:46

Është rritur ndjeshëm numri i pacientëve me viroza respiratore...

Është rritur ndjeshëm numri i pacientëve me viroza respiratore, të cilat kanë prekur jo vetëm fëmijët por edhe të rriturit. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe paraqiten edhe rastet me alergji pranverore. Simptomat kryesisht janë të ngjashme, prandaj pacientët i ngatërrojnë alergjitë me virozat, thotë mjekja Sadet Amiti. 
 
Ajo rekomandon vaksinimin kundër gripit, pasi ndihmon në uljen e rrezikut për komplikacione serioze dhe lehtëson rrjedhën e sëmundjes, veçanërisht te grupet më të ndjeshëm.
 
“Paralelisht me virozat, gjatë kësaj periudhe janë shtuar edhe rastet me alergji pranverore. Poleni është një nga shkaktarët kryesorë, duke provokuar simptoma si kruarje të syve, teshtima të shpeshta, bllokim të hundës dhe ndonjëherë lodhje. Alergjitë shpesh ngatërrohen me virozat, ndaj është e rëndësishme që pacientët të konsultohen me mjekun për të marrë trajtimin e duhur. Rekomandojmë vaksinimin ndaj gripit për ata që nuk e kanë kryer ende, si dhe kujdes në higjienën personale, shmangien e kontaktit të ngushtë me persona të sëmurë dhe, në rastin e alergjive, evitimin e ekspozimit në natyrë gjatë orëve të pikut të polenit”, u shpreh mjekja Sadet Amiti.
 
Ndërkohë nga Instituti i Shëndetit Publik, njoftuan se gjatë muajit mars sëmundja akute infektive më e shpeshtë e regjistruar ishte lija e dhenve me gjithsej 309 raste të raportuara. Krahasuar me muajin paraardhës, numri i rasteve të raportuara me linë e dhenve ka rënie prej 15,6 për qind, ndërsa krahasuar me muajin mars 2024 ka rënie prej 62,5 për qind, sipas raportit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP).
 
“Gjatë muajit mars 2025, në Republikën e Maqedonisë janë raportuar gjithsej 608 persona të infektuar me sëmundje akute infektive, duke përjashtuar Covid-19, gripin, tuberkulozin, AIDS, AFP dhe bartës kronikë të hepatitit B dhe C dhe HIV, me incidencë totale prej 33,1 për 100,000 banorë. Gjatë muajit mars ka pasur rënie të numrit të përgjithshëm të të infektuarve me 18.5 për qind krahasuar me muajin paraardhës shkurt 2025. Krahasuar me marsin 2024 ka rënie prej 57.5 për qind, si dhe krahasuar me mesataren aritmetike për periudhën 2015–2024, me 44.2 për qind”, thuhet në raportin e Institutit.
 
Për sa i përket ndarjes sipas grupeve të sëmundjeve infektive akute në muajin mars, numri më i madh i përket sëmundjeve pikatore. Nga këto, numri dhe incidenca më e madhe u raportua për linë e dhenve. 
 
FARIJE DAUTI BAKIU