Botë

Besimtarët katolik e ortodoks festojnë Pashkët

20.04.2025 16:23

Besimtarët ortodoksë, katolikë dhe ungjillorë në Shqipëri dhe Kosovë kremtojnë festën e Pashkës...

Besimtarët ortodoksë, katolikë dhe ungjillorë në Shqipëri dhe Kosovë kremtojnë festën e Pashkës, një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin e krishterë. Meshat u mbajtën në Katedralen Katolike “Shën Pali” dhe në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Mesazhet u përqëndruan tek paqja. Sakrificat për shërimin shpirtëror, janë të domosdoshme, thanë kryeklerikët e krishterëve katotik dhe ortodoks shqiptar.
 
“Qoftë lëvduar Jezu Krishit. Të dashur vëllezër dhe motra, anemabanë. Ju ftoj që në këtë natë jete, ta ndezim qiriun e Pashkëve të Krishtit të Ringjallur dhe gëzimi ynë të arrijë në shumë zemra të tjera dhe të ndezim dritën e shpresës që nuk zhgënjen. Krishti është ngjallur”, u shpreh Arqipeshkv i kishës katolike të Shqipërisë, Imzot Arjan Doda.
 
“Ne kemi siguri, se dashuria e tij është më e fortë se urrejtja. Jeta në të më e fortë se vdekja dhe se shpresa jonë në Krishtin është më e fortë se dëshpërimi. Nëse do të ndizet drita e ngjalljes në jetën tonë, atëherë marrëdhëniet ndër njerëzit do të ndriçohen. Ne jemi krijuar si qenie komunitare dhe jemi thirrur të jetojmë në bashkësi me njëri – tjetrin, e ta ndihmojmë nëjri -tjetrin”, theksoi kryepeshkopi i Shqipërisë, Imzot Joan Pelushi.
 
Festë fetare edhe në Kosovë. Me këtë rast, në Katedralen "Shën Nënë Tereza" në Prishtinë është mbajtur meshë solemne.  Në mesazhin e tij, ipeshkvi i Ipeshkvisë në Kosovë Dodë Gjergji, përkujtoi urtësinë krishtere se çdokush duhet të ruhet nga gjuha e urrejtjes dhe të përmbahemi nga veprimet e pamatura që çojnë drejt konfliktit. 
 
“Së bashku me ju po kremtoj këtë moment të lavdishëm të Pashkëve, të bashkuar në fe, në shpresë dhe dashuri. Pas përgatitjes, jemi përtëri në shpirt dhe jemi afruar më afër zotit, të shëndritur me shkëlqimin e dritës qiellore dhe me këtë ngjarje dëshmojnë se Krishti është ngjallur, ka mposhtur vdekjen dhe ka hapur për ne forcat e pasosura. Ftojmë njerëzit të ecin në rrugë të paqes, lirisë dhe drejtësisë hyjnore”, u shpreh ipeshkvi i Ipeshkvisë në Kosovë Dodë Gjergji.
 
Pashkët shënojnë ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit dhe simbolizojnë besimin te Zoti dhe shpresën për të gjithë besimtarët. Festa kremtohet në të gjitha kishat, ku besimtarët marrin pjesë në shërbesat e shenjta dhe shkëmbejnë urimet tradicionale me jalët: “Krishti u ngjall! Vërtet u ngjall!Atmosferë festive edhe në shtëpitë e të gjithë besimtarët katolikë dhe ortodoks.
 
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU