Seancë konstituive në Parlamentin e Kosovës
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës...

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të fillojë në orën 15:00 me shqyrtimin e pikave të mbetura nga seancat e kaluara. Në rend dite janë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve.
Tentativat për të zgjedhur kryeparlamentaren dështuan dy herë, ku Albulena Haxhiu, e propozuar nga partia fituese, nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme. Pavarësisht këtyre dështimeve, Haxhiu ka konfirmuar se do të jetë sërish emri i propozuar për këtë post, duke theksuar vendosmërinë e subjektit të saj politik për të udhëhequr Kuvendin.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate zyrtare, ka bërë me dije se respekton të drejtën kushtetuese të partisë fituese për të propozuar kryetarin e Kuvendit, por kjo nuk përbën domosdoshmërish një mbështetje për kandidaturën në fjalë.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi pas seancës së të shtunës se situata me numrat për formimin e institucioneve është bërë e qartë dhe theksoi faktorët që kanë sjellë në bllokimin aktual.
Në të njëjtën linjë, udhëheqësi i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka theksuar rëndësinë që ka funksionalizimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja për vendin, duke apeluar për përgjegjësi dhe veprim të shpejtë nga ana e spektrit politik.
