Kosovë, vazhdon seanca konstituive, në rend dite, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit

21.04.2025 16:23

Për herë të tretë deputetët e sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës...

Për herë të tretë deputetët e sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të tentojnë që të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, gjegjësisht të zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarin e këtij institucioni ligjvënës.

Në rend dite të seancës konstituive janë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve. Përndryshe tentativat për të zgjedhur kryeparlamentaren dështuan dy herë, ku Albulena Haxhiu, e propozuar nga partia fituese, nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme.

Pavarësisht këtyre dështimeve, Haxhiu ka konfirmuar se do të jetë sërish emri i propozuar për këtë post, duke theksuar vendosmërinë e subjektit të saj politik për të udhëhequr Kuvendin.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate zyrtare, ka bërë me dije se respekton të drejtën kushtetuese të partisë fituese për të propozuar kryetarin e Kuvendit, por kjo nuk përbën domosdoshmërisht një mbështetje për kandidaturën në fjalë.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, para nisjes së seancës, ka thënë se nuk do ta votojnë kandidaturën e Vetëvendosjes, deputeten Albulena Haxhiu, për pozitën - kryetare e Kuvendit. Ai e ka përsëritur qëndrimin se do të votojnë kundër, ashtu si herët e kaluara.

Ndërkohë,  udhëheqësi i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka theksuar rëndësinë që ka funksionalizimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja për vendin, duke apeluar për përgjegjësi dhe veprim të shpejtë nga ana e spektrit politik. Përndryshe nga 61 vota sa nevojiten, të shtunën pro zgjedhjes së Haxhiut në këtë detyrë kanë votuar 57 deputetë, 48 të LVV-së dhe 9 të komuniteteve. Kundër kanë votuar 20 deputetët e LDK-së, ndërsa kanë abstenuar 3 deputetët e Nismës. Ndërkaq në votim nuk kanë marrë pjesë deputetët e PDK-së, ata të Listës Serbe, deputetja Duda Balje dhe deputeti i tërhequr nga Lista Serbe, Adem Hoxha. (Ersan Pajaziti, TVM2)