Hetimi për tragjedinë në Koçan, BDI kërkon hetim për agjencinë “Rubikon”

21.04.2025 17:34

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon hetim urgjent...

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon hetim urgjent për rolin e agjencisë së sigurimit “Rubikon”, lidhjet e saja me institucionet shtetërore dhe dështimin e MPB-së për të reaguar në tragjedinë e zjarrit në Koçan.

Kërkesa pason shqetësimin e familjarëve të të ndjerëve në protesta lidhur me agjencinë dhe MPB-në. Integristët drejtojnë pyetje të drejtpërdrejta institucioneve:

“A ka pasur “Rubikon” licencë të vlefshme për të vepruar si agjenci sigurimi?Sa prej të punësuarve të saj janë të licencuar dhe çfarë trajnimi kanë marrë? Cilat objekte apo ngjarje të tjera i ka siguruar kjo agjenci? A ka qenë ndonjëherë objekt i kontrollit inspektues? Kush e ka realizuar kontrollin dhe me çfarë rezultatesh? Pse policia nuk ka reaguar, edhe pse në objekt ka pasur të mitur, shitje dhe konsum të lirë të alkoolit, përdorim të mjeteve piroteknike dhe prishje të rendit publik?”, - thuhet në reagimin e BDI-së.

Hetimi i deritanishëm i Prokurorisë ka nxjerr në shesh lëshime të shumta në funksionimin e diskotekës “Puls”, sikurse mungesa e lejes së punës, izolimi joadekuat, aparate të pamjaftueshme anti-zjarr, si dhe përdorimi i mjeteve piroteknike.

Për ndriçimin e rastit, autoritetet dyshojnë te 59 persona. Pjesa më e madhe tyre janë prapa grilave, sikurse katër ish-ministra të Ekonomisë, drejtorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, inspektorë komunal, kryetar komune, si dhe funksionarë të lartë të policisë lokale. (Meral Ismaili, TVM2)