Kosovë, shtyhet seanca konstituive, LVV kërkon marrëveshje politike

21.04.2025 18:12

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës...

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë për herë të katërt me radhë dhe është shtyrë për të mërkurën, me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje. Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, bëri të ditur se kërkesa për shtyrje është bërë me qëllim që të shmanget një përsëritje e situatave të mëparshme, kur mungesa e konsensusit mes partive politike pamundësoi zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. 

“Ne kemi emrin e njëjtë, Albulena Haxhiun. Kemi parë që kanë deklaruar se do të kishin qëndrimin e njëjtë. Nëse do ta kishim shumicën do të mund t’i bllokonim edhe nënkryetarët. Kërkojmë kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë.”, - deklaroi Glauk Konjufca nga Vetëvendosja.

Krasniqi: LVV të propozojë tjetër kandidat

Pas dështimit të seancës konstitutive, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, apeloi që Vetëvendosje ta gjejë një kandidat tjetër, pasi Haxhiun nuk do ta votojnë.

“Situatë e paprecedentë. Këta po e vazhdojnë bllokadën, në vend se të propozojnë një kandidat tjetër. Nuk mund të jetë më e rëndësishme se krijimi i institucioneve. LVV duhet ta gjejë një kandidate tjetër, nuk duhet ta lënë peng Qeverinë e ardhshme. Kandidatja Haxhiu nuk do ta ketë mbështetjen tonë, ajo është simbol i dështimeve të kësaj qeverie 4-vjeçare.”, - theksoi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Nga Vetëvendosje e kanë bërë të qartë se nuk do ta ndryshojnë propozimin e tyre që Albulena Haxhiu të jetë kryetare e Kuvendit të Kosovës. Përndryshe kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, njoftoi se seanca e radhës do të jetë të mërkurën në ora 10:00. (Ersan Pajaziti, TVM2)