Punonjësit e kulturës në protestë, LSDM akuzon për kaos në kulturë, kërkon dorëheqjen e ministrit Lutkov
Punonjësit e kulturës paralajmërojnë protesta...

Punonjësit e kulturës paralajmërojnë protesta të martën me fillim në ora 12:00 para Ministrisë së Kulturës. Nga Sindikata e tyre thonë se nëse bëhet rregullimi i pabazë i pagave, SKRM-ja do të ngrejë kallëzim penal ndaj drejtorëve për mosrespektim të marrëveshjeve kolektive dhe ligjeve.
Ndërkohë nga Ministria e Kulturës kanë bërë të ditur se punonjësit në institucionet kulturore do t'i marrin pagat me rritjen e nevojshme këtë javë, në përputhje me Ligjin dhe Kontratën Kolektive.
Arsyet e vonesës janë për shkak të harmonizimit të përllogaritjeve të pagave me Ministrinë e Financave, thonë nga Ministria e Kulturës.
LSDM-ja reagon më ashpër ndaj menaxhimit Ministrisë së Kulturës nga ministri, Zoran Lutkov, i cili la mbi 3.000 punëtorë pa pagesë, duke paralajmëruar vendosjen e trashëgimisë kulturore në koncesion.
Nga kjo parti akuzojnë se po neglizhohen punonjësit e kulturës dhe kërkojnë dorëheqje të menjëhershme të ministrit të Kulturës, Lutkov.
“LSDM kërkon: Dorëheqje dhe përgjegjësi politike nga Lutkov për kaosin që ka shkaktuar në kulturë. Të tërhiqen deklaratat e turpshme për privatizimin e trashëgimisë kulturore. Urgjentisht të bëhet pagesa e pagës së marsit për të gjithë punëtorët e kulturës. Kultura dhe trashëgimia kulturore nuk janë mallra tregtare. Kultura nuk është pazar. Arkeologjia nuk është komplot. Ky vend ka një popull që kujton dhe që nuk harron.", - thuhet në komunikatën e LSDM-së.
VMRO-DPMNE me akuza të ndërsjella, koha e ndryshimeve ka ardhur
Nga VMRO-DPMNE mohojnë akuzat, duke potencuar se gjatë qeverisjes së LSDM-së, Ministria e Kulturës ishte thesar transaksionesh partiake dhe çmimesh për figura të afërta.
Sipas kësaj partie, artistët që nuk ishin besnikë, u injoruan ose u sanksionuan. Institucionet u bllokuan dhe kultura u reduktua në një biznes privat për individë të përzgjedhur, por kjo ka marrë fund dhe tani është koha e ndryshimeve.
“Punonjësit e kulturës, artistët e vërtetë dhe institucionet po marrin frymë më me lehtësi. Koha kur bluzat XXL dhe biletat e avionit drejt destinacioneve ekzotike bliheshin me paratë e shtetit, ndërsa projektet me rëndësi kombëtare refuzoheshin, ka përfunduar. VMRO-DPMNE nuk do të lejojë presion ndaj Prokurorisë, por as nuk do të lejojë mbrojtjen e kujtdo që ka kryer vepër penale para ligjit, pavarësisht përkatësisë partiake, etnike apo tjetër.”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së. (Ersan Pajaziti, TVM2)
