Kapacitetet turistike në Tetovë, të lëna pas dore, shkak, problemet pronësore
Monumentet historike në Tetovë...

Monumentet historike në Tetovë që reflektojnë trashëgiminë kulturore dhe arkitektonike janë lënë pas dore, të parikonstruuara, në mëshirën e fatit.
Edhe përskaj premtimeve për riparim të Kalasë së Tetovës, Arbati Baba Teqes, si dhe shtëpisë së familjes Deralla në Tetovë, punimet nuk mund të nisin, për shkak të kontesteve pronësore juridike.
Kështu vlerëson kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, sipas të cilit, edhe për themelimin e shtëpisë muze të familjes Deralla pritet leje nga Qeveria.
Përderisa vijon përplasja mes pushtetit qendror dhe atij lokal infrastruktura dita ditës po rrënohet, e me të edhe trashëgimia historike e Tetovës.
Kalaja e Tetovës, Arabati Baba Teqe, si dhe shtëpia e familjes Deralla në Tetovë janë vende historike, por të harruara nga institucionet.
Kreu i Tetovës, Bilall Kasami, tha se Kalaja e Tetovës dhe Arabati Baba Teqe kanë probleme pronësore juridike që e pamundësojnë komunën të investojë.
“Sigurisht janë dy pika të rëndësishme historike dhe për vizitorët paraqesin një atraksion, por që të dyja këto pika historike kanë probleme pronësore juridike, të cilat na pamundësojnë se ne si komunë të interesoheni për të siguruar edhe mundësi ristaruimi.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
“Shtëpia e Halim Derallës, e cila është e rrethuar me mbeturina gjithandej dhe nuk i shërben qytetit në mënyrën më adekuate që duhet, pra si muzeu i familjes Deralla. Edhe pse ne si Organizatë kemi kërkuar zyrtarisht që ky objekt të shndërrohet në muze të familjes Deralla, nga Qeveria dhe Ministria e Kulturës na është thënë se kjo iniciativë, sipas ligjit, duhet të ndërmerret nga komuna dhe këshilli komunal. Komuna u deklarua se objekti për momentin i është dhënë në shfrytëzim Universitetit të Tetovës dhe se fillimisht duhet liruar nga ana e tyre.”, thuhet në komunikatën e shoqatës “Huta”.
“Ne kemi kërkuar deri tek Qeveria, që të na japë në shfrytëzim të përhershëm këtë objekt, që pastaj komuna e Tetovës të nisë procedurën formale për themelimin e shtëpisë si muze. Presim nga Qeveria të na japë, pasi është pronë shtetërore. Nga informatat që i kemi, ky objekt i është dhënë Universitetit të Tetovës.”, - theksoi kryetari i Tetovës, Bilall Kasami.
Deri sa institucionet të merren vesh se kush ka të drejtë në menaxhimin e këtyre objekteve historike në Tetovë, ato dita ditës po shkatërrohen e shuhen bashkë me historinë e tyre shekullore. (Visar Sadiku, TVM2)
