Lëvizja Vetëvendosje kërkon votën e të gjithë deputetëve për Haxhiun
Pas dështimit të katërt të LVV-së për ta zgjedhur Albulena Haxhiun...

Pas dështimit të katërt të LVV-së për ta zgjedhur Albulena Haxhiun – kryetare të Kuvendit, deputeti i kësaj partie Hekuran Murati duke fajësuar partitë e tjera për bllokadë, tha se kushtetuta i obligon që ta votojnë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
“Te votimi për kryesinë e Kuvendit, pra kryetarin dhe nënkryetarin, kemi edhe interpretimin e Gjykatës Kushtetuese ku kërkohet që të gjithë deputetët duhet të jenë prezent dhe e kanë obligim që të votojnë.”, tha Murati.
Por me kërkesën e LVV-së, nuk pajtohen partitë e tjera. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se kandidatja për kryetare të Kuvendit Albulena Haxhiu, nuk është më e rëndësishme se sa formimi i institucioneve.
Krasniqi, ka numëruar arsyet se pse PDK-ja nuk ka votë për Haxhiun.
“Kandidatja Haxhiu nuk do të ketë mbështetjen tonë në asnjë rrethanë dhe në asnjë moment. Ajo është simbol i dështimit të kësaj Qeverie.”, tha Krasniqi.
Votë për kryetar të Kuvendit të propozuar nga LVV-ja nuk ka as LDK. Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami akuzoi LVV-në se ka bllokuar formimin e institucioneve.
Në anën tjetër AAK-ja vazhdon të ketë ofertë për LVV-në Edhe Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj i cili është përfolur për një bashkëpunim me LVV-në, tha se partitë politike duhet të gjejnë një rrugë për të ecur më tutje.
Të mërkurën do të jetë përpjekja e 5-të e LVV-së për konstituim të Kuvendit.
