Maqedoni

Dita ndërkombëtare e Planetit Tokë, Kasami: Qytetarët të ruajnë ambientin

22.04.2025 13:26

Në Ditën e Planetit Tokë, kreu i Tetovës kërkon nga qytetarët që të jenë më bashkëpunues dhe të ruajnë ambientin...

Edhe në Ditën e Planetit Tokë, kreu i Tetovës, Bilall Kasami, kërkon nga qytetarët që të jenë më bashkëpunues dhe të ruajnë ambientin. Kasami tha se vazhdon avazi i vjetër i qytetarëve me hedhje të mbeturinave inerte për rreth kontejnerëve.
 
“Ne vazhdojmë të kemi një dukuri jo të këndshme nëpër qytet, veçanërisht pranë kontejnerëve, ku qytetarët hedhin çdo lloj të mbeturinave.”, - deklaroi kryetari i Tetovës, Bilall Kasami. 
 
Kasami mohoi akuzat e qytetarëve se komuna kërkon 1.000 denarë për bartjen e mbeturinave inerte. Ai kërkoi nga qytetarët që të paraqiten në nr. 044-331-167 dhe të njëjtat mbeturina, komuna do t’i bart pa pagesë.
 
“Komuna nuk u kërkon asnjë cent për mbeturinat, të cilat janë jashtë atyre komunale, që duhet të paraqiten qytetarët dhe shkojmë e ua marrim mbeturinat në shtëpi, sepse me ato që i hedhin rreth kontejnerëve, ato vetëm se na e rëndojnë punën dhe menaxhimin me mbeturinat.”, - theksoi i pari i Tetovës, Bilall Kasami. 
 
Këto komente, Kasami i bëri sot ku bashkë me fëmijët e çerdhes së qytetit dhe drejtoreshën, Fatlinda Jahja, që për nder të ditës së Planetit Tokë organizuan disa aktivitete për mbrojtje të ambientit jetësor.
 
VISAR SADIKI