Rajon
Kuvendi i Kosovës, nesër përpjekja e pestë për konstituim
22.04.2025 14:59
Të mërkurën do të bëhet përpjekja e pestë me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës...

Të mërkurën do të bëhet përpjekja e pestë me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, i cili duhet të përmbyllet me zgjedhjen e kryeparlamentarit. Nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ndryshojnë qëndrim, ata mbeten në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.
“Ju jeni dëshmitarë për krejt procesin. E dini shumë mirë se çfarë do të ndodhë, tashmë kjo është deklaruar.”, - theksoi Xhelal Sveçla nga Vetëvendosja.
Por, megjithëse Glauk Konjufca nga Vetëvendosja të hënën kërkoi ndërprerje të seancës, pasi nevojitet kohë shtesë për konsultime me partitë tjera politike për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK refuzojnë të shkojnë në takime me Lëvizjen Vetëvendosje. Lutfi Aziri nga LDK për mediat në Kosovë ka thënë se është detyrë e partisë fituese ta zgjedhë kryeparlamentarin dhe askush nuk e ka ndërmend “t’i japë partisë së parë oksigjen politik”.
“Nuk kemi parë qëllim për t’u takuar sa për t’u parë. Qëndrimi i LDK-së nga debati është konfirmuar dhe i njëjti. Meqë s’kemi ndërruar qëndrim politik, s’kemi nevojë t’i shkojmë askujt në takim e as të ndihemi të përdorur. Ky qëndrim politik është zbardhur dhe konfirmuar nga z.Abdixhiku. Ne nuk shohim asnjë qëllim.”, ka thënë Haziri.
Nga PDK kanë thënë se nuk do të votojnë asnjë kandidat nga Vetëvendosje, ndërsa AAK do të votonte Shqipe Selimin apo Saranda Bogujevcin, por dy deputetet e Vetëvendosjes kanë thënë se e drejta për të propozuar nuk i takon AAK-së, por Vetëvendosjes si parti e parë. Ndërsa edhe po të arrihej marrëveshje me Nismën e Fatmir Limajt, do të siguroheshin 60 vota të deputetëve, pasi në votimet paraprake Albulena Haxhiu mori 57 vota për. Në këtë rast zgjidhja mbetet të kërkohet te votat e minoriteteve ose përkrahja e ndonjë deputeti individualisht nga partitë shqiptare.
GYLTENE SINANI
