Debat për integrimin e vendit në BE, Gashi: Agjenda reformuese, mundësi për përparim
Anëtarësimi në BE mbetet e vetmja alternativë për Maqedoninë e Veriut...

Anëtarësimi në BE mbetet e vetmja alternativë për Maqedoninë e Veriut. Agjenda reformuese është një plan strategjik për transformim institucional, social dhe ekonomik, theksoi kryeparlamentari, Afrim Gashi, në debatin dedikuar agjendës reformuese në seancën e Komisionit për Çështje Evropiane në Kuvend.
Sipas tij, procesi i integrimit nuk është vetëm detyrim, por një mundësi për të forcuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe institucionet. Si kryetar i Kuvendit, u zotua se çdo reformë dhe ligj do të trajtohet me përparësi të lartë.
“E dimë se qytetarët janë lodhur nga premtimet dhe presin rezultate nga ne, pikërisht për këtë arsye agjenda reformuese është mundësi për t'u treguar qytetarëve se procesi i integrimit nuk është një fushatë dhe nuk është një aspiratë utopike, por një përpjekje konkrete.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi.
Filipçe: Rruga drejt BE-së, me shumë sakrifica
Kryetar i Këshillit Kombëtar për Eurointegrime, Venko Filipçe, gjatë fjalimit të tij vlerësoi se rruga drejt BE-së ka zgjatur shumë. Tha se janë bërë shumë sakrifica, por pa rezultate të mëdha.
“Mendoj se rruga jonë drejt BE-së ka zgjatur shumë. Kemi bërë shumë sakrifica, por nuk kemi parë rezultate të mëdha. Të gjitha arsyet i dimë, por pyetja është: A duhet tani të dorëzohemi? Nuk ka asnjë burim tjetër financimi, as kredi që do të investojë në atë që është thelbësore dhe kjo është kapitali njerëzor. Vetëm nëse investojmë në një ekonomi të hapur dhe të bazuar në dijeni, do të shohim rezultate të dukshme.”, - theksoi kryetari i Këshillit Kombëtar për Eurointegrime, Venko Filipçe.
Milloshoski: Edhe BE-së i duhet kohë për t’u reformuar
Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Antonio Miloshoski, përshëndeti lavdërimet e BE-së për Agjendën Reformuese të Maqedonisë dhe theksoi nevojën për kritika të arsyeshme në Kuvend për të vlerësuar përparimin. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e reformave të brendshme në BE.
“Jam i sigurt se edhe BE-së do t’i duhet kohë për t’u reformuar dhe më pas të shpresojmë se do të mund të bëjë hapin që është gati të pranojë shtete të reja anëtare.”, - u shpreh kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Antonio Milloshoski.
Murtezani: Vizioni ynë është i qartë, RMV në BE
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, theksoi se Agjenda Reformuese është një ambicie për një shoqëri më të drejtë dhe roli i Kuvendit është thelbësor.
“Vizioni ynë është i qartë: Maqedonia e Veriut e integruar në familjen evropiane me institucione të fuqishme, ekonomi konkurruese dhe shoqëri të bashkuar. Arritja e këtij vizioni varet nga angazhimi dhe mbështetja e paanshme.”, - theksoi ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani.
Edhe ambasadorja e Zvicrës, Veronika Ullman, theksoi se Kuvendi ka rol të rëndësishëm në miratimin e ligjeve të BE-së dhe forcimin e zhvillimit demokratik, ndërsa zëvendësambasadori i BE-së, Ben Nupnau, e përgëzoi Maqedoninë e Veriut për nënshkrimin e marrëveshjes për Planin e Rritjes dhe Agjendën Reformuese, duke e cilësuar këtë si një mjet për forcimin e politikave evropiane dhe zhvillimin e ekonomisë. (Armend Murseli, TVM2)
