Maqedoni

Prezenca e Taravarit në Qeveri, Kasami: Do ta vendosim me partnerët qeverisës

22.04.2025 15:55

Në Qeveri brenda javës pritet të merret vendimi definitiv, sa i takon prezencës së ASh-së së Arben Taravarit në Qeveri...

Në Qeveri brenda javës pritet të merret vendimi definitiv, sa i takon prezencës së ASh-së së Arben Taravarit në Qeveri. VLEN-i çështjen në fjalë do ta flasë me partnerët tjerë të koalicionit qeverisës. Kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami, thotë se është e panatyrshme që një subjekt politik të bashkëpunojë me një parti opozitare, duke qenë pjesë e Qeverisë. Ai siguron se përbërja aktuale e VLEN-it gëzon legjitimitetin e plotë në Qeveri.

 
“Të drejtën e përfaqësimit të shqiptarëve e ka koalicioni VLEN dhe përsëri këtu çdo subjekt që largohet nga VLEN-i, nuk e ka përkrahjen e këtyre 107 mijë votave, të cilat i ka marrë koalicioni VLEN. Prandaj, pa marrë parasysh numrin e deputetëve, unë vlerësoj që koalicioni VLEN vazhdon të ketë mbështetjen dhe përkrahjen e qytetarëve, të atyre 107 mijë votave, të cilat i ka marrë dhe sigurisht të ketë edhe legjitimitetin. Por, të sqarojë opinionin që unë pres që në ditët në vijim kur do të merret vendimi formal në kuadër të Qeverisë për hapat e mëtejmë, që numri dhe përkrahja e Qeverisë të rritet dhe jo të zvogëlohet.”, - deklaroi kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.
 
Aludimet e mëhershme të koalicionit VLEN për zgjerimin e koalicionit qeverisës përfshinin ASh-në e Zijadin Selës, i cili është shprehur se nuk është pjesë e VLEN-it, por në qoftë se do të ndodhte ndonjë lëvizje politike siç po ndodh tani, ai do të ulej me kryeministrin dhe do ta kushtëzonte, të zgjidhte midis atij ose Taravarit. Trazirat në VLEN erdhën pasi Taravari njoftoi garimin e pavarur me lista të këshilltarëve në zgjedhjet lokale, duke ngritur pikëpyetje të shumta në opinion për veprimin e tij në Qeveri, pasi VLEN-i e shpalli si të vetëpërjashtuar nga koalicioni.
 
MERAL ISMAILI