Botë

Vatikan, Papa Françesku do të varroset më 26 prill

22.04.2025 16:20

Papa Françesku do të varroset të shtunën më 26 prill, njoftojnë nga Vatikani....

Papa Françesku do të varroset të shtunën më 26 prill, njoftojnë nga Vatikani. Sipas njoftimeve, ceremonia mortore do të zhvillohet në shesh para Bazilikës së Shën Pjetrit. Sipas testamentit të tij, ai do të varroset në Bazilikën Santa Maria Magiore, dhe jo në Shën Pjetër, ku prehen paraardhësit e tij. 
 
“Gjëja më e  rëndësishme është lutja. Në këto momente ne e shoqërojmë papën tonë me lutje, kjo është gjëja më e mirë që mund të bëjmë në këto momente, pjesa tjetër e ceremonisë do të vijë më pas.”, - theksoi kardinali, Fernando Filoni.
 
“Kjo ndoshta është një kërkesë e veçantë që ai ka bërë, duke marrë parasysh atë që tha, se do të dëshironte të varrosej nën hijen e një gruaje, pranë Mërisë së Shenjtë. Kjo gjithashtu është domethënëse në lidhje me dëshirën për kishën, që të bëjë më shumë për gratë, pra kjo ka rëndësi në vullnetin për të rikthyer atë që bënë paraardhësit e tij për gratë.”, - deklaroi kardinali Xhanfranko Ravasi.
 
135 kardinalë nga e gjithë bota janë mbledhur për të marrë pjesë në varrimin e tij, për të zgjedhur pasardhësin dhe për të përfaqësuar të gjitha kongregacionet para këshillit, në të cilin do të zgjidhet papa i ri. Zgjedhja e papës së ri do të ndodh nëntë ditë pas varrimit të Papa Françeskut. Besimtarët e pikëlluar nga e gjithë bota i japin lamtumirën e fundit. Liderët botërorë kanë dalë me mesazhe ngushëllimi duke treguar dhembshuri, një pjesë e tyre kanë vendosur të ndërpresin fushatat politike për një kohë dhe kanë konfirmuar pjesëmarrjen në ceremoninë e varrimit. 
 
“E mbaj mend kur u bë papë dhe e kam ndjekur punën e tij nëpër media dhe akoma jam i shokuar kur dëgjova se ka ndërruar jetë, sepse para tre ditësh e pashë që ishte në Romë.”, - tha një qytetar.
 
“Një papë revolucionar, një papë i vërtetë, ndryshe nga të tjerët, shumë pranë të dobëtëve dhe të përvuajturve.”, - tha një qytetar tjetër.
 
“Sot bota ka nevojë për një papë të ri, për dikë që mund të sjellë atë që solli Françesku, një nivel të ri shpirtëror.”, - u shpreh një qytetar.
 
Papa Francesku humbi jetën nga një sulm në tru dhe dobësimit të zemrës në moshën 88-vjeçare, në momentin kur po shërohej nga pneumonia e dyfishtë, për të cilën ishte i shtruar në spital për pesë javë. Ai ishte Papa i parë nga Amerika e Jugut. Në maj të vitit 2019, me rastin e 25-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe Vatikanit, Papa Françesku bëri një vizitë historike në vendin tonë. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU