Maqedoni

Kuvend, nevojitet bashkëpunim me Avokatin e Popullit

23.04.2025 11:45

Roli i Kuvendit në avancimin e të drejtave të qytetarëve është me rëndësi të jashtëzakonshme...

Roli i Kuvendit në avancimin e të drejtave të qytetarëve është me rëndësi të jashtëzakonshme, ndaj edhe duhet të përforcohet bashkëpunimi në mes Kuvendit dhe Avokatit të Popullit. Kjo u konstatua në konferencën e mbajtur në Kuvend me temë “Përforcimi i mbikëqyrjes parlamentare për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.  

“Orientimi ynë strategjik drejt Bashkimit Evropian, si dhe sfidat tona në këtë moment kritik të procesit integrues, janë një ftesë e qartë dhe mundësi për të reflektuar, vepruar dhe përparuar në fuqizimin e rolit mbikëqyrës të legjislativit për garantimin e të drejtave të njeriut. Dhe jo vetëm për hir të procesit integrues, por mbi të gjitha, për t’i rikthyer Kuvendit dinjitetin dhe qytetarëve besimin në këtë institucion.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. 
 
“Para së gjithash është Kuvendi si organ përfaqësues dhe ligjdhënës, që përmes sistemit dhe rregullativës të sigurojë qasje të njëjtë deri te të drejtat për çdo individ, ndërsa Avokati i Popullit është adresa në të cilën drejtohen qytetarët në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të tyre. Ky relacion, ku Avokati i Popullit duhet edhe më tepër të përforcohet dhe përmirësohet në bashkëpunim, ku Avokati i Popullit do të arrihet në funksionim dhe ngritje të standardeve dhe cilësisë në respektimin e plotë të lirive dhe të drejtave të njeriut.”, - theksoi Avokati i Popullit, Naser Ziberi.