Botë
Lufta në Ukrainë, Rubio anulon praninë e tij në Londër
23.04.2025 12:27
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marko Rubio, nuk do të marrë pjesë në bisedimet në Londër...

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marko Rubio, nuk do të marrë pjesë në bisedimet në Londër ditën e sotme që synojnë përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë, pasi Kievi sinjalizoi se do të refuzonte një detaj kyç të propozimit të administratës Tramp për t’i dhënë fund konfliktit trevjeçar.
I dërguari special i presidentit Donald Tramp për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellog, do të përfaqësojë ShBA-në në vend të tij. Bisedimet vijnë pas një takimi në Paris javën e kaluar, në të cilin zyrtarë nga ShBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania diskutuan një projekt kornizë amerikane për një armëpushim.
Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, e bëri të qartë të martën se ishte i hapur për bisedime me Rusinë, por se Kievi nuk do të pranonte një marrëveshje që njeh kontrollin e Moskës mbi Krimenë. “Ukraina nuk do ta njohë ligjërisht pushtimin e Krimesë,” u tha ai gazetarëve.
Ndërkohë, lufta ka rifilluar me forcë të plotë këtë javë, pas një armëpushimi të papritur gjatë fundjavës së Pashkëve, ndërsa të dyja palët e akuzuan njëra-tjetrën për shkelje.
