Debat për agjendën reformuese, Mickoski: Eurointegrimet, në fokus të Qeverisë

23.04.2025 13:37

Agjenda reformuese dhe eurointegrimet janë në fokus të Qeverisë...

Agjenda reformuese dhe eurointegrimet janë në fokus të Qeverisë. Kështu u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski, në debatin e organizuar publik në Qeveri me ekspertë dhe partnerët ndërkombëtar. Vendi, tha ai, nuk mund të anëtarësohet në BE, pa u reformuar rrënjësisht sistemi gjyqësor, andaj duhet të punohet në depolitizimin e tërësishëm të gjyqësorit dhe çrrënjosjen e korrupsionit në vend. 
 
“Reformat në sistemin gjyqësor janë më urgjente për t’i zbatuar. Pa ato, të gjitha reformat tjera janë të pavlefshme. Nuk ka shoqëri evropiane, në qoftë se prokurori publik zgjedh se cilit do t’ia japë lëndën, apo cilin do ta  heshtë, apo gjykata kur merr vendime sipas përzgjedhjes së qendrave politike që po e bëjnë, e jo sipas Kushtetutës dhe ligjeve dhe ku qytetari humb besimin se do të fitojë drejtësinë. Andaj përgjegjësia jonë si politikanë është se që të krijojmë kushte për depolitizimin e tërësishëm të gjyqësorit dhe t’i mbrojmë prokurorët dhe gjykatësit nga ndikimet politike dhe nga interesat e bizneseve dhe të krijojmë mekanizma për mbikëqyrje të jashtme të tyre dhe llogaridhënie  të vërtetë dhe jo vetëm mbështetje formale.”, - deklaroi  kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Murtezani: Po punohet në agjendën reformuese
 
Numri një i integrimeve, Orhan Murtezani, tha se në kontinuitet po punohet në përmbushjen e prioriteteve të agjendës reformuese, siç janë sundimi i shtetit të së drejtës, transformimi digjital dhe qeverisja e mirë. 
 
“Reformat që i realizojmë në periudhën 2024-2027 janë pjesë e një imazhi më të gjerë. Ata nuk janë dedikuar vetëm për t’i realizuar kërkesat e BE-së, por ato janë për të arritur administratë më efikase, ajër më të pastër dhe drejtësi. Agjenda reformuese është më shumë se një dokument programor. Ajo është një kuadër konceptual për ridefinimin e logjikës institucionale të shtetit, mënyrë e vetme për t’i tejkaluar të gjitha hendeqet sistematike ndërmjet ligjeve dhe drejtësisë, politikës dhe interesit publik.”, - theksoi ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani.
 
Jain: Suedia mbështet rrugëtimin e RMV-së për në BE
 
Suedia, e cila përmes projekteve të shumta të UNOP-it vazhdimisht mbështet rrugëtimin e RMV-së drejt integrimit të plotë në BE, thotë se në transformimin e tërësishëm të shoqërisë drejt BE-së është i mundshëm vetëm përmes kyçjes së të gjithëve pa rezervë si institucionet, mediat, OJQ-ja, po ashtu edhe të rinjtë. 
 
“Mediat dhe OJQ-ja kanë një rol të rëndësishëm për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të siguruar informacione objektive për qytetarët duke stimuluar ndryshime pozitive dhe përparim në vend. Andaj duhet të vazhdojmë të punojmë bashkërisht  Qeveria, OJQ-ja, partnerët ndërkombëtarë, mediat dhe të rinjtë, që të ndërtojmë një shoqëri më transparente, më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse.”, - u shpreh ambasadorja e Suedisë në RMV, Ami Larson Jain. 
 
Tryeza u organizua në bashkëpunim me UNOP-in dhe ambasadën suedeze, ndërsa në të morri pjesë edhe ish-kryenegociatori për anëtarësim të  Kroacisë në BE, Vladimir Drobnjak, si dhe ekspertë nga UNOP-i.
 
REXHEP QAMILI