Rajon
Kuvendi i Kosovës, dështoi sërish zgjedhja e kryeparlamentarit
23.04.2025 13:54
Edhe përpjekja e pestë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës përfundoi pa epilog....

Edhe përpjekja e pestë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës përfundoi pa epilog. Gjithçka ishte reprizë e përpjekjeve të kaluara. Kryesuesi Avni Dehari e hapi seancën dhe ftoi përfaqësuesin e Lëvizjes Vetëvendosje të propozojë kandidatin për kryeparlamentar.
“Kryetari apo kryetarja ju njoftoj se zgjidhet me shumicë të votave të deputetëve, së paku 61 vota “për”.”, - theksoi kryesuesi i seancës konstitituive, Avni Dehari.
Glauk Konjufca nga Vetëvendosje e përsëriti propozimin e njëjtë.
“Lëvizja Vetëvendosje propozon atë që gjithmonë ishte propozimi ynë, zonjën Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Të nderuar kolegë, ju lus të gjithëve, që ta mbështesni dhe të dalim nga kjo bllokadë.”, - u shpreh Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.
Por, lutja e Konjufcës që Haxhiu të votohet për kryeparlamentare nuk gjeti mirëkuptimin e shumicës së deputetëve, pasi mori vetëm 57 vota “për”, të cilat ishin të pamjaftueshme. Rezultati dëshmoi se palët mbeten në qëndrimet e tyre. Derisa Vetëvendosje nuk heq dorë nga kandidatura e Haxhiut, PDK, LDK dhe AAK janë kundër kandidaturës së Haxhiut, derisa Nisma me tre deputetët e sajë votoi e përmbajtur. Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për të premten. Ndërsa nëse nuk arrihet marrëveshje për sigurimin e mbështetjes së 61 deputetëve për një kandidaturë të caktuar, kjo situatë mund të përsëritet pafundësisht, pasi propozimi i kandidatit për postin e kryeparlamentarit është e drejtë kushtetuese e partisë së parë, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje.
GYLTENE SINANI
