Maqedoni
Konkursi për regjistrim në shkollat e mesme, Janevska: Fokusi, te shkollat profesionale
23.04.2025 14:14
Është hapur konkursi për regjistrim në shkollat e mesme dhe ai tanimë është i qasshëm për nxënësit e interesuar...

Është hapur konkursi për regjistrim në shkollat e mesme dhe ai tanimë është i qasshëm për nxënësit e interesuar. Fokusi është tek shkollat apo paralelet profesionale dhe mundësia që paralelet apo arsimi dual këtë vit të rritet, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
“Parashihet regjistrimi i diku rreth 20 mijë nxënësve, ndërsa 18 mijë vende janë parashikuar vetëm për shkollat e mesme profesionale dhe në këtë drejtim po e rrisim numrin e paraleleve duale, por numrin do ta dimë pas analizave të tregut të punës nëpër komunat, varësish se sa kompani janë të interesuara që këto nxënës i përfshinë fillimisht në procesin e praktikës. Pres që këtë vit në këtë drejtim të përmirësohen pritshmëritë tona.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Janesvska thotë se edhe interesimi i kompanive është i lartë për t’i pranuar këto të rinj dhe numri çdo ditë e më shumë po rritet, sepse sipas saj, kjo metodologji është edhe në interes të kompanive, që të kenë kuadër të përgatitur.
“Po rritet edhe numri i kompanive. Mbi 550 kompani tanimë janë të kyçura në këtë proces në mënyrë aktive dhe pas mbylljes së konkursit do të shohim edhe sa kompani do të përfshihen. Pres që e gjithë shoqëria të adaptohet në kërkesat e shtetit, dhe ne e dimë se tani kemi largim të trurit nga vendi ynë dhe kemi mungesë të fuqisë punëtore. Ky problem duhet të zgjidhet, sepse nxënësit përmes këtyre paraleleve do të kenë mundësi të punësohen dhe të qëndrojnë në vendet e tyre të punës, të cilën e kanë ushtruar fillimisht në mënyrë praktike.”, - theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Programi "Studioni zgjuar, punoni profesionalisht!" është një fushatë e zbatuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Ai bazohet në nevojat e sektorit real duke hapur paralele të dyfishta në shkollat e mesme profesionale. Kur bëhet fjalë për arsimin dual, të gjithë sytë drejtohen drejt Zvicrës dhe Gjermanisë, vende të cilat zbatojnë me sukses këtë model arsimor, ku nxënësi kalon një ditë në javë në shkollë duke mësuar lëndë themelore, pjesën tjetër të kohës e kalon në vendin e punës.
FITIM KRYEZIU
