Maqedoni

Zhvillimet politike, Mexhiti fton Taravarin të pozicionohet

23.04.2025 14:28

Lëvizjet politike në VLEN, me vetëpërjashtimin e Taravarit nga koalicioni, temë diskutimi edhe në Qeveri....

Lëvizjet politike në VLEN, me vetëpërjashtimin e Taravarit nga koalicioni, temë diskutimi edhe në Qeveri. Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, thotë se shumica është stabile, por në të njëjtën kohë bashkëbisedohet edhe për situatën politike. Taravari ka munguar në mbledhjen e djeshme, por partia është përfaqësuar nga zëvendëskryeministri, Arben Fetai. Mexhiti nuk shpalos qëndrimin përfundimtar të kryeministrit, por në emër të VLEN-it fton Taravarin të qartësojë pozicionin e tij, pasi siç tha ai edhe me BDI-në edhe në Qeveri nuk shkon.
 
“VLEN-i është i qartë, edhe me VLEN-in edhe me BDI-në nuk mundet. Edhe me BDI-në edhe në Qeveri mendoj se nuk shkon…Sa i përket zotit Taravari, mendoj se është problem i zotit Taravari. Ai duhet ta sqarojë para opinionit. Nuk duhet ta fshehë bashkëpunimin me BDI-në. Është legjitime të bashkëpunojë, nuk mund t’ia ndalojmë, por nuk duhet të harrojmë se ato 107 mijë vota i kemi marrë si premtim para qytetarëve që do të sjellim ndryshimin. Mendoj se do ta ketë rëndë ta bindë edhe strukturën e vet për këtë lëvizje që po e bën.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
 
Fetai: Jemi pjesë e Qeverisë
 
Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, i kundërpërgjigjet Mexhitit, duke thënë se ASh-ja mbetet në Qeveri. Ai vlerëson se ASh-ja, krahu i Taravarit është faktor kyç për stabilitetin e Qeverisë.
 
“ASh-ja është në Qeveri. Nuk ka asnjë plan për lëshim të pozicioneve tona në Qeveri. Vazhdojmë me punë në baza ditore sikur nuk ka ndryshuar asgjë.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai.
 
Mickoski, takime me partnerët e koalicionit
 
Fetai konfirmoi se kryeministri do të takojë veçmas partnerët e koalicionit, ASh-në, VLEN-in dhe Lëvizjen “E di”. Rreth 1 majit flitet të realizohet takimi Mickoski - Taravari. Mexhiti nuk konfirmon nëse do të ishte pjesë e këtij takimi. Ai thotë se nuk ka folur me kryeministrin për këto detaje, të cilat i cilëson si teknike. Ndërkohë VLEN-i vazhdon aktivitetet për t’u bërë një parti. Kryesia do të ketë 23 anëtarë. Brenda koalicionit flitet edhe për emrin e kryetarit të partisë. Nuk përjashtohet emri i Mexhitit, por nga VLEN-i thonë se kjo nuk është ndër prioritetet, sikurse realizimi i programit dhe unifikimi i votës shqiptare.
 
MERAL ISMAILI