Maqedoni
Mexhiti: Synojmë të ndërtojmë një të ardhme të gjelbër
23.04.2025 14:46
Sigurimi i teknologjive të reja që të mundësojë shfrytëzim më efikas ekologjik dhe transparent të burimeve natyrore është mision i Ministrisë së Ambientit....

Sigurimi i teknologjive të reja që të mundësojë shfrytëzim më efikas ekologjik dhe transparent të burimeve natyrore është mision i Ministrisë së Ambientit. Kështu deklaroi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, në forumin për energjetikë dhe teknologji midis Maqedonisë së Veriut dhe Çekisë, i organizuar nga Ambasada e Republikës Çeke në Shkup. Forumi u fokusua te tranzicioni i gjelbër, burimet e rinovueshme të energjisë, digjitalizimi dhe inovacioni teknologjik.
“Ne do të inkurajojmë kërkimin dhe inovacionin vendas dhe do të krijojmë kushte për tërheqjen e investimeve të huaja dhe respektojmë kontekstin vendas dhe standardet ekologjike. Në energji qëllimi ynë është i qartë, një furnizim i qëndrueshëm dhe i përballueshëm me energji elektrike përmes teknologjive që reduktojnë varësinë nga lëndët djegëse fosile. Do të punojmë intensivisht në digjitalizimin e sistemit energjetik, rrjetet inteligjente ruajtjen e energjisë dhe rritjen e efikasitetit të energjisë në të gjitha nivelet në amvisëri.”, - deklaroi ministri i Ambientit, Izet Mexhiti.
Në Forum njëherit u theksua se kompanitë çeke janë të interesuara të investojnë në Maqedoni, për të sjellë inovacione dhe zgjidhje teknologjike që do të ndihmojnë në zhvillimin ekologjik të vendit.
ABIBE QAILI
