Lidhja e Sindikatave, thirrje për protestë më 1 maj
Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov...

Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov, me rastin e ditës ndërkombëtare të punëtorëve - 1 Maji, ftoi të gjithë punëtorët, aktivistët për të drejtat e punëtorëve, sindikatat e tjera dhe qytetarët në protestë për të shprehur pakënaqësinë e punëtorëve dhe për të kërkuar paga më dinjitoze.
Ai tha se Maqedonia është shteti me pagën minimale më të ulët në rajon, andaj nuk është koha për të festuar, por për të shprehur pakënaqësinë.
“Gjithnjë e më vështirë po jetohet në Maqedoni, gjegjësisht qytetarët dhe punëtorët çdo ditë e më vështirë mund t’i sigurojnë produktet ushqimore bazë. Kjo është për t’u shqetësuar dhe vlerësoj se motivi për të treguar unitet dhe për të shprehur se punëtorët në Maqedoni janë të pakënaqur është që atë ta bëjmë më 1 maj. Nuk është koha për birrë dhe zgarë, por për luftë dhe të drejta të punëtorëve. Pagat në Maqedoni janë të mjerueshme dhe nuk rriten, siç është e paraparë me Marrëveshje kolektive. Qeveria dhe punëdhënësit refuzojnë të rrisin pagën minimale në 500 euro dhe t’i rrisin pagat tjera më së paku 100 euro.”, - deklaroi kryetari i Lidhjes së Sindikatave, Sllobodan Trendafilov.
Trendafilovi akuzon se Qeveria po ndikon që punëdhënësit të mos bisedojnë për rritjen e pagave.
“Porositë që i dërgoi Qeveria në dy muajt e kaluar deri tek punëdhënësit është që assesi të mos ulen të bisedojnë më për rritjen e pagave, por sa më shumë të na sulmojnë neve si Lidhje e Sindikatave. Për fat të keq. Megjithatë Qeveria është punëdhënësi më i madh në Maqedoni dhe asnjë punëdhënës tjetër në sektorin privat nuk është aq i madh sa Qeveria, e cila përfaqëson numrin më të madh të të punësuarve në sektorin publik.”, - theksoi kryetari i Lidhjes së Sindikatave, Sllobodan Trendafilov.
Ai potencoi se ka njohuri që përveç të punësuarve në sektorin privat dhe në Ministrinë e Kulturës edhe shumë punëtorë të tjerë në institucione të tjera publike në vend që akoma nuk e kanë marrë pagën për muajin mars. (Florije Kamberi, TVM2)
