Në Kuvend diskutohen të drejtat e njeriut, Avokati i Popullit kërkon më shumë kapacitete
Mungesa e pavarësisë së plotë financiare...

Mungesa e pavarësisë së plotë financiare, mungesa e mjeteve për realizimin e projekteve për promovimin e të drejtave të qytetarëve që janë në kompetencë të Avokatit të Popullit, si dhe mungesa e kapaciteteve kadrovike, përbëjnë probleme serioze në punën e këtij institucioni.
Avokati i Popullit, Naser Ziberi, tha se marrëdhënia mes Kuvendit dhe Avokatit të Popullit duhet të forcohet edhe më shumë.
Ai vuri në pah se vonesa në miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Avokatin e Popullit i ka privuar drejtpërdrejt nga mundësia për zbatimin dhe akreditimin në një trup ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara për marrjen e statusit A.
“Të gjitha institucionet nga rajoni, megjithëse janë themeluar shumë më vonë se ne, e kanë arritur këtë status. Mospërzgjedhja e zëvendësve të Avokatit të Popullit, të cilët aktualisht janë shtatë, ndikon drejtpërdrejt në organizimin e punës së institucionit tonë. Mungesa e tyre ndikon gjithashtu në rënien e cilësisë së akteve dhe vendimeve që shqyrton Avokati i Popullit.”, - deklaroi Avokati i Popullit, Naser Ziberi.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, siguroi se mbeten të përkushtuar për rritjen e kapaciteteve, ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme dhe veprimin si urë lidhëse mes qytetarëve dhe Parlamentit.
“Orientimi ynë strategjik drejt Bashkimit Evropian, si dhe sfidat tona në këtë moment kritik të procesit të integrimit, janë një ftesë e qartë dhe një mundësi për të reflektuar, vepruar dhe përparuar në forcimin e rolit mbikëqyrës të pushtetit legjislativ në garantimin e të drejtave të njeriut. Dhe kjo, jo vetëm për shkak të procesit të integrimit, por mbi të gjitha për të rikthyer dinjitetin e Kuvendit dhe besimin e qytetarëve në këtë institucion.”, - theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Të drejtat e njeriut nuk janë rastësisht në grupin që hapet i pari dhe mbyllet i fundit, theksoi zëvendësshefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Ben Nupnau.
“Të drejtat e njeriut përmes demokracisë qytetare, politike dhe ekonomike, garantojnë që dinjiteti njerëzor të jetë në vend të parë. Legjislacioni duhet të respektohet në mënyrë demokratike. Në vitet e fundit përfshirja e komunitetit rom dhe të ngjashme është në një nivel më të mirë, por mbetet ende për t’u bërë.”, - u shpreh zëvendësshefi i delegacionit të BE-së, Ben Nupnau.
Këto konstatime u dhanë në konferencën e organizuar në Kuvend me temë “Përforcimi i mbikëqyrjes parlamentare për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”. (Ersan Pajaziti, TVM2)
