Kumanovë, Fetai e Meidani dhuruan libra për shkollarët e mesëm
Me rastin e ditës ndërkombëtare të librit...

Me rastin e ditës ndërkombëtare të librit, zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, i shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë, Denion Meidani, bënë shpërndarjen e librave të letërsisë botërore e kombëtare për nxënësit e vitit të parë në shkollat e mesme me mësim në gjuhën shqipe në Gjimnazin “Sami Frashëri”, si dhe në shkollën e mesme teknike “Nace Bugjoni” në qytetin e Kumanovës.
“Në kuadër të një nisme të përbashkët me Ministrinë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe ministrin Igli Hasani, me të cilin bashkërisht kemi siguruar një fond librash prej 4.200 titujsh të literaturës klasike ndërkombëtare dhe shqiptare, të cilat do të shpërndahen për secilin nxënës të vitit të parë të shkollave të mesme në gjuhën shqipe në nivel vendi. Këtë aktivitet e fillojmë sot bashkë me ambasadorin, Denion Meidani, i cili ka lehtësuar këtë bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë. E fillojmë këtu në Kumanovë dhe po ashtu një nismë tjetër, që e ka cekur ambasadori, që bëhet fjalë për dhurim disa qindra libra për bibliotekat e këtyre dy shkollave të mesme këtu.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Arben Fetai.

“Është kënaqësi kur marrim pjesë në projekte, që kanë të bëjnë me arsimin dhe me asistencën që po ofron Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë në bashkëpunim me Qeverinë e RMV-së. Në këtë rast e falënderoj zëvendëskryeministrin, sepse ka qenë i interesuar personalisht për mbarëvajtjen e kësaj iniciative, që mendoj se është shumë domethënëse. E fillojmë sot e për të vazhduar edhe me shkollat dhe gjimnazet tjera dhe shpresojmë shumë në iniciativa e projekte të tjera që mbështesin letërsinë dhe gjuhën shqipe.”, - u shpreh ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani.
Ndryshe, ky aktivitet është pjesë e një iniciative të përbashkët me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, përmes së cilës janë siguruar 4.200 libra të letërsisë botërore për nxënësit e shkollave të mesme në gjuhën shqipe në të gjithë vendin.
Aktiviteti në fjalë do të realizohet edhe në qytetet e tjera të RMV-së. (Fatlum Aqifi, TVM2)
